Kosova

Nëse Vuçiç futet në Kosovë pa leje, do arrestohet, thotë Sveçla


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka paralajmëruar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç se nëse futet në Kosovë pa leje, do të arrestohet.

“Nëse është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ky reagim i kreut të MBP-së ka ardhur pasi në katër komunat në veri të Kosovës, mëngjesin e kësaj të diele janë shfaqur posterë me imazhin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në të cilët shkruhet “Komandant Suprem, ju presim”.

“Komandant Suprem, ju presim”, në Veri shfaqen posterë me imazhin e Vuçiç-it

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, konfirmoi se autoritetet kanë hapur rast për “nxitje të urrejtjes”.

“Në disa lokacione në katër komunat në veri të vendit janë shpërndarë pamflete me fotografinë e kryetarit të Serbisë. Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit është hapur rasti për nxitje të urrejtjes”, tha Elshani për Albanian Post.

Sipas Elshanit, nuk ka persona të dyshuar për vendosjen e këtyre posterëve, por “policia po punon në drejtim të ndriçimit të rastit”.

Por, kjo nuk është hera e parë që në Veri shfaqen postierë dhe grafite provokuese. Vitin e kaluar, ishin shfaqur grafite ku shkruante “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.

Mesazhi i grafitit është pjesë e një kënge turbo-folk të kënduar nga mitropoliti Amfilohije i Kishës Ortodokse Serbe dhe peshkopi Atanasije, ndërsa këtë mesazh e kanë shfaqur para dy jave tifozët e klubit futbollistik “Crvena Zvezda (Ylli i Kuq)” në Beograd.

E njëjta ishte shfaqur edhe në Banja Llukë – qyteti i dytë më i madh në Bosnje-Hercegovinë dhe kryeqyteti politik i entitetit serb – afër rrugës kryesore që të çon në Prijedor, atje ku janë kryer disa prej krimeve më të rënda gjatë luftës më 1992-1995.

Edhe në të kaluarën ka pasur mesazhe urrejtjeje tmerruese kundër shqiptarëve dhe Kosovës. Ndërsa thirrjet nacionaliste dhe irredentiste serbe sikurse ajo “Kosova është zemra e Serbisë” gjejnë ende mënyra për t’u shfaqur.

Koreografia luftënxitëse e shfaqur nga huliganët serbë të futbollit, ishte identike edhe me atë të shfaqur vitin e kaluar në një park lojërash për fëmijë në qendër të Beogradit, saktësisht në muret e Institutit për Kimi, Teknologji dhe Metalurgji.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore