Lajme

Negociatorët e BE-së paralajmërojnë: Është Italia që po izolohet, por kjo rrezikon llogaritë


“E informova, por ajo nuk donte ta diskutonte”. Tre ditë më parë, një prej “negociatorëve” të PPE-së, kryeministrit grek Mitsotakis (i cili ishte gjithashtu i ndjeshëm ndaj një dialogu me të djathtën), iu kërkua të fliste me kryeministrin italian për të përshkruar situatën. Për t’i bërë të kuptonte marrëveshjen e arritur midis tre “familjeve” të mëdha politike të Unionit: Popullore, Socialiste dhe Liberale.

Ishte një akt respekti ndaj qeverisë italiane dhe jo ndaj partisë politike të përfaqësuar nga Giorgia Meloni.

Dhe lideri i Athinës raportoi më pas rezultatin e telefonatës si më poshtë.

Çështja është pikërisht kjo: kryeministrja italiane i është shmangur negociatave reale për të ashtuquajturat “top jobs” të BE-së dhe është izoluar.

Ajo mbivendosi rolin politik të Vëllezërit të Italisë dhe ECR (Konservatorët) me rolin institucional të ekzekutivit të vendit. Pa marrë parasysh se rezultatet e zgjedhjeve evropiane i kishin dorëzuar çelësat e Palazzo Berlaymont (parlamentit evropian) dhe ndërtesës së Evropës, koalicionit tradicional të formuar nga PPE, PSE dhe Renew. Dhe se “kordoni sanitari” ndaj së djathtës sovraniste mbeti.

Një izolim që po e zhvendos Romën në krahët e vendeve që tani konsiderohen “paria” në Evropë si Hungaria e Orbanit dhe Sllovakia e Ficos. Tre anëtarët e vetëm që nuk i janë bashkuar ende “paketës” së emërimeve. Me një rrethanë rënduese: Budapesti dhe Bratislava tani janë në një linjë haptazi pro-ruse. Një faktor në kundërshtim të qartë me elementin e vetëm të sigurisë në politikën e jashtme të ekipit Melonian: Atlanticizmin.

Ndër të tjera, në godinat e Brukselit, të gjithë theksojnë se ECR nuk ka paraqitur as spitzenkandidat, pra kandidatin për kryesinë e Komisionit, duke u përjashtuar efektivisht nga loja dhe nga rregullat evropiane për përcaktimin e “big” pozicioneve.

Një nënvlerësim që lidhet me një qëndrim dyshimi dhe mosbesimi nga ana italiane ndaj procedurave evropiane. Dhe këto janë pasojat.

Natyrisht, të gjithë presin që përfundimisht të ketë konvergjencë në Këshillin Evropian që fillon sot pasdite.

Jo vetëm për emërimet, por edhe për agjendën strategjike. Domethënë mbi objektivat e BE-së për pesë vitet e ardhshme.

Por asnjë nga “emrat e mëdhenj”, nga Franca, Gjermania dhe Spanja, nuk tremben nga mundësia që Italia të konfirmojë zgjedhjen e saj për të qëndruar jashtë marrëveshjeve.

Madje, vlerësimi i Palazzo Chigi (kryeministria italiane) për letrën e dërguar nga Ursula von der Leyen në pjesën që ka të bëjë me luftën kundër imigracionit të paligjshëm ka hapur një dritare mundësie.

Në të njëjtën kohë ama, befasoi vëmendja këmbëngulëse e Melonit ndaj një çështjeje të rëndësishme që ka një zhvillim afatgjatë dhe jo fokusimi në emergjencat e Italisë.

Në fakt, në diskutimet jozyrtare doli sistematikisht një fakt që mund të bëhej shpërthyes nëse qëndrimi italian i izolimit vazhdon edhe në muajt në vijim: situata ekonomike.

Italia, në fakt, përtej propagandës, vazhdon të ecë në një sipërfaqe shumë të rrëshqitshme.

Diferenca e bonove të qeverisë ka shënuar rritje të vazhdueshme që nga zgjedhjet evropiane.

Mbi të gjitha, askush nuk e përjashton që tensioni mbi borxhin publik mund të rritet në muajt në vijim.

Së pari sepse në shtator qeveria do të duhet të paraqesë, në bazë të Paktit të ri të Stabilitetit, një plan për uljen e deficitit me shkurtime të paktën 12 miliardë eur çdo vit për shtatë vitet e ardhshme. Me pak fjalë, lot dhe gjak.

Dhe pastaj sepse kurba e borxhit nuk po zvogëlohet.

Burimet e Pnrr-së (fondi për rekuperim pas Covid-it) në dy vitet e ardhshme bazohen kryesisht në kredi dhe jo në grante (të shfrytëzuara në këtë pjesë të parë të Pnrr-së) dhe për këtë arsye do të peshojnë në llogaritë.

Veçanërisht nëse fondet nuk përdoren plotësisht.

Dhe kështu, në këtë kontekst, paralajmërimi se “negociatorët” e PPE, PSE dhe Renew – pra, krerët e shteteve dhe qeverive të Gjermanisë, Francës, Spanjës, Polonisë, Greqisë dhe Holandës – është dhënë edhe drejt Palazzo Chigi-t: izolimi nuk ia vlen.

Qëndrimi në një cep do të perceptohej nga tregjet si një element dobësie. Dhe Italia mbetet, nga ky këndvështrim, një i vëzhguar i veçantë.

Një pamje e përgjithshme që po detyron Ursula von der Leyen të jetë më pak e disponueshme drejt Italisë se muajt e fundit.

Kryetarja e Komisionit e di se një hap më shumë drejt Melonit do të bënte që ajo të humbiste votat e socialistëve në Parlamentin Evropian.

Prandaj ajo dëshiron të merret me të në mënyrë konfidenciale dhe në nivel institucional, jo në atë politik.

Para fillimit të samitit të sotëm, synimi i von der Leyen është t’i telefonojë ose të ketë një sqarim ballë për ballë.

Elementi i vetëm i mundshëm i negocimit është portofoli që do t’i caktohet Komisionerit Italian i cili do të respektojë peshën e Italisë dhe jo të FdI-së.

Kryeministrja italiane do të donte një zëvendëspresident ekzekutiv. Një kërkesë për të cilën mbeten shumë dyshime.

Mirëpo, mes së sotmes dhe nesër, zgjedhja përfundimtare për Melonin është një tjetër: të dalë nga izolimi ose të zhytet në të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore