Lajme

Në Loire, rikthehen motrat Le Pen : Kemi provuar gjithçka, pse jo ato?


“Të quhesh Le Pen është një avantazh në një fushatë elektorale. Dhe unë jam krenare për mbiemrin tim”. Është edhe ajo në dinasti, Marie-Caroline, e cila prej disa ditësh po rreh tregjet dhe festivalet, fermat, bujtinat për të moshuarit, në këtë cep të Francës së thellë, tokat goliste që tani janë një terren për Pushtimin e Perëndimit nga Rassemblement National, dikur i rrënjosur vetëm në veri dhe jug të Francës.

Motra e lideres të ekstremit të djathtë është kandidate në zonën e katërt elektorale të Sarthe, në veri të Loire.

Élise Leboucher, anëtare në largim e France Insoumise që kërkon konfirmimin në votimin e ri, ka përgatitur një pritje mjaft armiqësore.

“Fashistë”, bërtasin militantët e majtë kur kandidatha e re e RN shfaqet për të shpërndarë fletëpalosje.

“Unë nuk marr mësime nga antisemitët” përgjigjet Le Pen, 64 vjeç, duke pretenduar se ka ardhur këtu “me kërkesën e militantëve” dhe për të “rrëmbyer” rrethprerjen e krahut të majtë që dëshiron ta shndërrojë Francën në “Venezuelën pa naftë”.

Kostoja e lartë e jetesës

“Ne kemi provuar gjithçka, pse jo ato?”, rrëfen Bernadette Bechu, e ulur në kafenenë Suze me të shoqin.

Një kontabiliste në një kompani të vogël, 50 vjeçar, ka votuar gjithmonë për të djathtën, por tani tundohet të votojë për RN.

Më shumë se emigracioni, thotë ajo, ajo që e motivon janë faturat e energjisë elektrike, karroca e supermarketit bosh, data 10 e muajit me llogarinë tashmë në të kuqe.

Një nga drejtuesit e Bankës së Ushqimit, Jean-Paul Bernardat thotë se muajt e fundit numri i personave të ndihmuar nga shoqata është rritur me 45 për qind për shkak të inflacionit.

Ndërkohë, shërbimet publike të garantuara nga shteti janë në rënie.

Dhjetë për qind e Sarthois nuk kanë më mjek. Spitali më i madh, në Le Mans, është i mbingarkuar. “Ne po përpiqemi të bëjmë që studentët e mjekësisë të vijnë, por jo përpara vitit 2026,” shpjegon presidenti i urdhrit, Bertrand Devaux.

Në zgjedhjet e fundit legjislative, në 2022, e majta fitoi me një grusht votash kundër të djathtës ekstreme.

Kësaj radhe, duket se ka erën në shpinë. Lista e kryesuar nga Jordan Bardella ka marrë tashmë 32% të votave në zgjedhjet evropiane, krahasuar me 19% për Macron.

“E kuptoj zhgënjimin, por është e gabuar të shkosh drejt ekstremizmit”, komenton Sylvie Casenave-Péré, kandidate në listën e Asamblesë së mazhorancës aktuale presidenciale.

Një drejtuese biznesi, kjo është përvoja e saj e parë politike. “Sipërmarrësit janë mësuar të gjejnë zgjidhje. Do të doja ta sjell këtë aftësi në shërbim të bashkëqytetarëve të mi”, vijon Casenave-Peré.

“Nuk jam unë përgjegjëse për atë që ka bërë qeveria”, përpiqet të zbusë, duke përdorur njohuritë e saj për zonën përpara “parashutës” së ekstremit të djathtë.

Trashëgimtarja

Trashëgimtarja e caktuar duhej të ishte Marie-Caroline. E rritur me bukë dhe politikë, në moshën 20 vjeçare ajo ishte kandidate e Front National në disa zgjedhje lokale, duke u bërë një figurë drejtuese e partisë së ekstremit të djathtë.

Megjithatë, në vitet 1990 u bë shkëputja me patriarkun.

“Caro”, siç e quajnë në familje, u përjashtua pasi vendosi të ndiqte rivalin e babait të saj, Bruno Megret, i cili kishte themeluar një lëvizje në disidencë nga Front National.

Kushdo që ka kryqëzuar rrugët me klanin që ka mbretëruar mbi të djathtën ekstreme franceze për më shumë se gjysmë shekulli, nuk ka pasur fat.

Marion Maréchal, vajza e motrës tjetër të treshes Le Pen, Yann, di diçka për të.

Tre vjet më parë ajo u nda me tezen e saj, duke u lidhur me Eric Zemmour dhe lëvizjen e tij Reconquête.

Pak orë pas zgjedhjeve evropiane, ajo braktisi në mënyrë sensacionale Zemmourin pasi fitoi një mandat në Strasburg. Dhe po i afrohet RN.

Pajtimi

Tradhtia e Marie-Caroline gjithashtu u realizua. Në vitin 1998 Jean-Marie Le Pen – i cili tani është 95 vjeç dhe u vendos nën “mbrojtje ligjore” nga vajzat e tij pas një vlerësimi mjekësor – vendosi të përjashtonte vajzën e tij të madhe.

Dhe kështu Marine, më e re, e gjeti veten të katapultuar në linjën e trashëgimisë.

Pesë vjet më parë dy motrat bënë paqe.

«Caro» është bërë një nga gurët e themelit të RN, dyshe me bashkëshortin e saj Philippe Olivier, një spin doktor me ndikim përkrah udhëheqëses.

Dhe vajza e tyre, Nolwenn Olivier, u lidh me Jordan Bardella.

Duke konfirmuar se, në familjen Le Pen, politika është një çështje familjare.

“Është si biçikleta, nuk e harron kurrë”, bëri shaka Marine kur motra e saj e gjeti veten përsëri duke bërë fushatë.

Ajo ishte paraqitur në zgjedhjet e fundit legjislative në rajonin e Parisit, pa arritur në raundin e dytë.

Këtë herë, ajo që e përkufizon veten si “katolike dhe nacionaliste”, ka një shans më të mirë në këtë zonë elektorale, e cila dikur ishte feud i François Fillon, një kandidat i bllokuar nga zgjedhjet presidenciale të 2017-ës .

Tërheqja e tij nga gara për Elysee-në kishte hapur rrugën për Macron.

E djathta goliste atëherë filloi rënien e saj. Në Sarthe, Republikanët propozuan një 20 vjeçar, Léo Brisard, kundër Le Pen, por pa shumë shpresë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore