Kosova

Në Kuvendin e Spanjës s’kalon nisma për njohjen e pavarësisë së Kosovës, kundër votoi edhe partia e kryeministrit


Ilustrim

Kuvendi i Spanjës, të enjten, ka votuar kundër nismës së partisë katalanase “Junts per Catalunya” me të cilën kërkohej njohja e Kosovës si shtet sovran.

Kundër kësaj nisme kanë votuar partia ultranacionaliste, VOX, Partia Popullore (konservatore), dhe partia e udhëhequr nga kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, Partia Socialiste e Punëtorëve Spanjolle.

Nisma për njohjen e shtetit të Kosovës nga Spanja e kanë mbështetur, E Majta Republikane e Katalonjës, Partia Baske dhe Partia Nacionaliste Baske, votat e të cilëve nuk kanë qenë të mjaftueshëm që nisma të miratohet.

Të martën në Kuvendin e Spanjës u diskutua nisma e partisë katalanase “Junts per Catalunya” me të cilën kërkohet njohja e Kosovës si shtet sovran.

Eduard Pujol Bonell, nga partia në fjalë, ndërsa prezantoi para ligjvënësve spanjollë nismën që Spanja ta njohë zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, potencoi se duhet të tregohet pjekuri në këtë aspket.

“Ne propozojmë që Qeveria spanjolle të njohë Republikën e Kosovës si shtet të pavarur. Ne po kërkojmë nga ju të tregoni pjekuri dhe maturi në këtë çështje dhe të zbatoni bindjet tuaja demokratike”.

Spanja, në vlerësimin e tij, duhet ta njoh Kosovën, meqë ajo është shtet e legjitimuar dhe demokratik.

“Drejtësia nuk duhet të jetë një mjet pazari. Ku është Palestina? Palestina është primare e Kosova në rend të dytë? A po flasim për këtë drejtësi?”, ka thënë Bonell.

Në letrën që kjo parti i kishte dërguar Kuvendit të Spanjës, e të cilën e kishte siguruar Albanian Post, potencohej fakti se Spanja ka marrëdhënie indirekte me Kosovën, meqë ka pranuar pasaportat e shtetit të Kosovës pas liberalizimit të vizave nga Bashkimi Evropian.

“Nga janari i vitit 2024, shteti spanjoll është i detyruar të njohë pasaportat e Kosovës. Bashkimi Evropian ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën që përfshin marrëdhënie të të gjitha llojeve me shtetet anëtare, duke u përkushtuar, ndër të tjera, për zhvillimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomike ndërmjet BE-së dhe Kosovës”.

Në vlerësimin e kësaj partia pesë shtetet anëtare mos-njohëse të BE-ës duhet ta njohin Kosovën që ta lejojnë atë të përparojë në rrugën evropiane pa vonesa të mëtejshme.

“Për këtë arsye, por edhe në mbështetje të përpjekjeve që po bëhen nga institucionet dhe populli i Kosovës për të mbrojtur të drejtën e tyre për të ekzistuar si shtet i pavarur, shteti spanjoll duhet të heqë dorë nga refuzimi i tij dhe të njohë menjëherë Republikën e Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore