Shqipëria

Në gusht gati linja e madhe unazore, 66 stacione urbanesh


Ajo do të zgjatet në 13.2 kilometra dhe do të përfshijë 66 stacione urbanesh në shërbim të qytetarëve. Linja e madhe unazore e transportit publik të Tiranës, do të jetë gati në gusht.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me anë të një postimi në Facebook.

Duke e cilësuar si gjeneratë të re të transportit publik, Rama nuk ka ngurruar të përmendë edhe mjetet e reja të transportit, të cilët do të jenë hibridë elektrikë. Kjo, për të ndihmuar një qytet për t’u bërë më i pastër dhe më ekologjik.

Kjo linjë e re urbanesh, do të zërë gradualisht vendin e urbanëve të zakonshëm, të cilët punojnë me karburant.

Prezantimin e mjeteve të reja e kreu më 24 korrik, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Ai theksoi faktin se “edhe pse ky projekt zbatohet në Evropë, në Ballkan nuk ka shumë vende që e implementojnë”.

Sakaq, kryebashkiaku e pranoi se ndotja e lartë në Tiranë, ka qenë ndër arsyet e këtij vendimi.

“Nëse kemi marrë përsipër që të jetojme në qytetin më të pasur të Shqipërisë, në qytetin e artit dhe kulturës, besoj se ka ndërgjegje të përdorim biçikletat për distancat e vogla dhe autobuzat tashmë miqësorë me mjedisin”, tha Veliaj.

Derisa dje tre linjat e para me mjete të tilla do të ishin ajo Kinostudio-Kombinat, Unaza dhe Tirana e Re, tashmë listës i shtohet edhe linja më e gjatë urbane në kryeqytet, ajo e Unazës së madhe.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore