Lajme

Në cilën qeveri ulen përfaqësuesit e Listës Serbe, nga kush e marrin pagën dhe kë përfaqësojnë, pyet deputeti serb Vuçiç’in


Shefi i grupit parlamentar të koalicionit opozitar “Bashkë-Ne duhet”, Nebojsha Zelenoviç ia ka kthyer përgjigjen presidentit serb, Aleksandër Vuçiç-it, i cili gjatë seancës së jashtëzakonshme për “çështjen e Kosovës” fajësoi deputetin se është parë disa herë pranë simbolit të Kosovës.

Zelenoviç duke e mbrojtur pozicionin e tij, ia bëri një pyetje të vështirë presidentit serb kur e pyeti atë se në cilën qeveri ulen përfaqësuesit e Listës Serbe, nga kush e marrin pagën dhe kë e përfaqësojnë duke iu bërë kështu thirrje edhe të zgjedhurve të popullit të ballafaqohen me realitetin.

“Janë ulur në një parlament, po mbajnë seancën, në fillim të seancës shpalosin flamurin, e lëshojnë himnin, e kanë stemën, ulen e bisedojnë. Dhe tani fajin e kam edhe unë. Këto janë faktet me të cilat duhet të fillojmë të ballafaqohemi”, ka theksuar ai.

Madje, deputeti deklaroi se është detyruar t’i largojë fëmijët e tij nga shkolla për shkak të persekutimit të mediave pro regjimit të Vuçiç-it.

“Është e tmerrshme kur një televizion në vendlindjen time fillon të pyesë qytetarët: “A keni dëgjuar që kryetari juaj na ka tradhtuar dhe e ka njohur Kosovën?”, për këtë më është dashur ta tërheq fëmijën nga shkolla”, tha ai mes tjerash.

Gjithashtu, grupi parlamentar “Bashkë – Ne duhet” njoftoi se nuk do ta votojë raportin për Kosovën. Zelenoviç, beson se kjo gjë nuk po funksionon për Serbinë dhe se asnjë marrëveshje nuk është në horizont.

Në fund, ai kërkoi edhe përfshirjen e opozitës në procesin e dialogut.

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Vladimir Orliç, ka bërë të ditur se seanca e jashtëzakonshme për situatën në Kosovë në Kuvendin e Serbisë, e cila po vazhdon të mbahet të martën e 13 shtatorit, do të zgjasë dy ditë.

Kjo pasi sipas tij, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në këtë seancë të veçantë do të përpiqet të bisedojë me të gjithë deputetët për çështjen e Kosovës.

Për kryekuvendarin serb, është e rëndësishme që të ketë unitet politik për çështjen e Kosovës, edhe pse sipas tij partitë opozitare serbe nuk do të mbështesin politikën shtetërore ndaj Kosovës.

“Do të ishte mirë dhe jashtëzakonisht e rëndësishme të mbështetej politika shtetërore, por të jem i sinqertë, dyshoj në të”, ka thënë ai.

Partitë opozitare në Serbi i japin leksione Vuçiç’it për Kosovën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore