Lajme

Në Brazil, gratë luftëtare ngihen për të shpëtuar tokat stërgjyshore


Në kryeqytetin e Brazilit, mbi pesë mijë gra indigjene kanë marshuar për të denoncuar sulmin historik në tokat amtare për të cilin thonë se po nxitet nga presidenti i ekstremit të djathtë në vend, Jair Bolsonaro.

Agjencia e lajmeve, “The Guardian”, tregon se ditët e fundit, përfaqësueset e më shumë se 170 nga 300 fiset e Brazilit janë mbledhur në Brasília për të kundërshtuar përpjekjet shumë të diskutuara për të hequr të drejtat e tokës autoktone dhe për të hapur territoret e tyre për operacionet minerare dhe agrobiznesin.

Luftëtaret, u nisën të premten e 10 shtatorit në mëngjes nga kampi i tyre në jug, veshur me mbulesa koke me ngjyra të ndritshme të bëra nga pendët e papagallëve dhe me flamuj të shtrënguar që dënonin dhunën në rritje kundër indigjenëve nën “administrimin gjenocid” të Bolsonaros.

“Ajo që ata duan është të na marrin tokën”, ka thënë Alessandra Korap, një aktiviste nga fisi Munduruku i Amazonës, duke shprehur keqardhje për një mori nismash politike për të cilat është shprehur se kërcënonin tokat dhe jetën autoktone.

Kryesorja mes kërcënimeve ishte edhe argumenti “marco temporal”, një sfidë ligjore ndaj të drejtave të tokës autoktone që po shqyrtohet nga gjykata supreme.

Referuar kundërshtarëve, nëse padia do të rezultonte e suksesshme – të cilën Bolsonaro e ka mbrojtur si një mënyrë për të ndaluar që Brazili të “dorëzohet tek indianët” – do të anulonte të gjitha pretendimet indigjene për të marrë tokën që nuk ishin pushtuar fizikisht kur u miratua kushtetuta e Brazilit më 5 tetor 1988.

“Kjo është e paligjshme. Kjo është antikushtetuese. Ata duan të na çrrënjosin dhe ne nuk do ta lejojmë”, ka thënë Korap në prag të marshimit të së premtes.

Korap ka vijuar se një vendim në favor të tezës do të legalizonte në mënyrë efektive vjedhjen e tokës autoktone.

“Teza e kuadrit kohor tregon se ne kemi ekzistuar që nga 5 tetori 1988. Por kjo nuk është e vërtetë. I gjithë Brazili është territor autokton, i gjithi. Fatkeqësisht, është hequr pak nga pak dhe tani ata duan të marrin ato pjesë që na kanë mbetur”, ka veçuar ajo.

Sônia Guajajara, një tjetër udhëheqëse e shquar autoktone, është shprehur se “të gjitha këto janë masa shumë të orkestruara, të cilat janë krijuar për të hequr të drejtat e tokës së njerëzve indigjenë dhe për t’i hapur këto toka për shfrytëzim…gjithçka ka të bëjë me fitimin dhe paratë”.

Ajo ka shtuar se “ne mbështesim biodiversitetin, duke e mbajtur pyllin në këmbë, e cila është pikërisht ajo që na siguron jetën. E tëra që ata mendojnë është zhvillimi i ndërtuar mbi shkatërrimin”.

Ndërkaq, mbështetësit e tezës së kuadrit kohor kanë argumentuar se vendosja e një afati kohor për kërkesat e tokës autoktone do të ndihmojë në shmangien e konflikteve dhe pasigurisë ligjore për pronarët e tokës.

“A duhet të mbrojmë të drejtat e tokës autoktone? Natyrisht, po. Por ne gjithashtu duhet të mbrojmë të drejtat e pronarëve të pronave, fermerëve, të cilët janë thelbësorë për zhvillimin e Brazilit”, ka thënë prokurori Alisson de Souza gjatë një seance të fundit.

Guajajara ka treguar se gratë indigjene po mobilizoheshin për të zmbrapsur kapitullin e fundit në një përpjekje shekullore për të zhdukur pasardhësit e atyre që banuan në atë që u bë në Brazil kur kolonizatorët portugezë mbërritën në vitin 1500.

“Ajo që po jetojmë tani nuk është ndryshe nga ajo që ne jemi përballur gjithmonë kur është fjala për këtë përpjekje shfarosëse. Ne kemi parë shekuj dhune, gjak të derdhur, përdhunim dhe skllavërim, tani e gjithë kjo po deklarohet zyrtarisht nga qeveria”, ka dalluar ajo.

Sipas Guajajara, “marshimi ka të bëjë me mbrojtjen e mëmëdheut. Gjithnjë e më shumë ne gratë po marrim vijën e parë të frontit në mbrojtjen e tokës sonë të shenjtë”.

Aktivistët janë gjithashtu të shqetësuara për skadimin e afërt të një sërë urdhrash për mbrojtjen e tokës që ndalojnë zhvillimin e zonave të banuara nga fise të pa kontaktuara.

Avokatët po i kërkojnë Funai-t, agjencia e mbrojtjes autoktone, të rinovojë ato urdhra që kufizojnë hyrjen në territoret e largëta të banuara nga popujt Piripkura, Pirititi, Jacareúba/Katawixi dhe Ituna/Itatá.

“The Guardian” tregon se territori Piripkura, në shtetin Mato Grosso, është ndër më të prekurit nga prerjet ilegale dhe mbrojtja e tij do të përfundojë këtë muaj.

Ndërkaq, Korap ka theksuar se gratë autoktone do të vazhdonin të luftonin pavarësisht sulmit. “Kjo qeveri do të zgjasë vetëm katër vjet, ne kemi rezistuar për më shumë se 520”, ka thënë ajo.

Gjithashtu u zotua se “lufta jonë është për mbijetesë, për jetën, për pyllin dhe për fëmijët tanë. Kështu që ne do të rezistojmë. Pavarësisht nga të gjitha sulmet nga qeveria, ne po rezistojmë dhe do të vazhdojmë të rezistojmë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore