Lajme

Ndryshimet në Ligjin për Presidentin – Gjukanoviç kërkon opinionin e Komisionit të Venecias


Milo Gjukanoviç

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka kërkuar opinion urgjent nga Komisioni i Venecias lidhur me ndryshimet në Ligjin për Presidentin e Shtetit.

Kështu të paktën ka bërë të ditur këshilltari i presidentit malazez për çështjet juridike, Boris Bastijançiç.

“Duke vlerësuar bashkëpunimin intensiv dhe thelbësor ndërmjet Malit të Zi dhe Komisionit të Venecias, Presidenti i Malit të Zi iu drejtua sot Presidentes së Komisionit të Venecias, Claire Bazy Malaurie”, ka thënë ai, transmeton ‘Analitika’.

Gjukanoviç, sipas këshilltarit të tij, e problematizoi veçanërisht faktin se përkundër mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese, disa bartës të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ ndërmarën hapa që shkojnë përtej nivelit të kompetencave të tyre të përcaktuara me Kushtetutë, siç është miratimi i fundit për ndryshimet e Ligjit për Presidentin.

Ndryshe, qytetarët malazezë të martën e 8 nëntorit kanë protestuar para Kuvendit të Malit të Zi, në Podgoricë.

Protesta është organizuar nën sloganin “Jemi ne” dhe u kërkua mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe tërheqja e propozimit për ndryshimin në Ligjin për Presidentin, e cila është mbështetur edhe nga Gjukanovic.

“Mbështetje për tubimin protestues, qëllimi i të cilit është kthimi i besueshmërisë dhe legjitimitetit të institucioneve dhe mbrojtja e Malit të Zi”, kishte deklaruar ai.

Gjithashtu, vlenë të përmendet se edhe Bashkimi Evropian është i shqetësuar për shkeljen e Kushtetutës me miratimin e Ligjit për Presidentin, i cili, sipas tyre, abuzon qartë me dispozitat kushtetuese.

Me votat e shumicës së vjetër parlamentare, të martën e 2 nëntorit në Kuvendin malazez, me 41 vota pro dhe pa praninë e opozitës, u votuan ndryshimet në Ligjin për Presidentin e Shtetit, të cilat parashikojnë një sërë dispozitash antikushtetuese.

Deputetët e formacionit pro-rus dhe pro-serb ‘Frontit Demokratik’, ‘Demokratët’, dhe URA duan që presidenti malazez të propozojë një përfaqësues për përbërjen e qeverisë së re ose ta përjashtojë atë krejtësisht nga ky proces.

Meqenëse ligji është miratuar me procedurë urgjente, Gjukanoviç është i detyruar ta nënshkruajë atë brenda tri ditëve ose ta kthejë në Kuvend për rishikim.

Nëse e kthen ligjin në Kuvend dhe deputetët e votojnë sërish, presidenti i shtetit, sipas Kushtetutës, duhet të shpallë ligjin e rimiratuar.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese nuk është funksionale prej kohësh, dhe deri atëherë mbetet e paqartë se çfarë rezultati ligjor dhe politik është i mundur nëse Gjukanoviç refuzon të shpallë Ligjin e ndryshuar për Presidentin për herë të dytë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore