Lajme

Ndërron jetë ambasadorja e Italisë në Australi, ra nga ballkoni


Ambasadorja e Italisë në Australi ka humbur jetën pasi ka rënë nga ballkoni në qytetin e saj të lindjes.

Mediat italiane të dielën raportuan se ambasadorja Francesca Tardioli u gjet e vdekur jashtë një shtëpie në Foligno, në veri të Romës.

Vdekja e saj është duke u hetuar nga autoritetet lokale, thonë raportet.

“Lajm tronditës për ndarjen nga jeta të ambasadores Francesca Tardioli. E dashur mike. Kolege brilante. Diplomate shumë e respektuar”, shkroi Ambasadorja e Australisë në Itali, Margaret Twomey në Twitter të dielën mbrëma.

Ajo e përshkroi Tardioli si një nga dhuratat më të mëdha të Italisë për Australinë.

Faqja e internetit e Ambasadës Italiane në Australi e përshkruan Tardioli-n si një diplomate të lartë që mbante postin e ambasadores që nga shtatori 2019.

Ajo zotëronte rrjedhshëm gjuhën angleze dhe frëngjishten. Gjithashtu kishte njohuri të mira të gjuhës gjermane dhe spanjolle, sipas faqes në web.

Ambasada dhe Ministria e punëve të Jashtme të Italisë vlerësuan gjithashtu Tardioli në postimet në mediat sociale të dielën mbrëma.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore