Kosova

Ndalohet edhe një person për spiunazh nga rajoni i Mitrovicës


Ilustrim

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka njoftuar se ka ndaluar edhe një person për spiunazh, në regjionin e Mitrovicës.

Lajmi është bërë i ditur nga PSK-ja, përmes një komunikate për media të mërkurën.

“Prokuroria Speciale e Kosovës, pas zhvillimit të hetimeve disa mujore në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Policinë e Kosovës – Drejtorinë Kundër Terrorizmit sot në mbrëmje, në regjionin e Mitrovicës  ka arrestuar një person”, thuhet fillimisht në njoftimin.

I arrestuari A.V. dyshohet për kryerjen e veprës penale “Spiunazhi”, nga neni 124 të KPRK-së.

I njëjti me aktvendim të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Speciale është ndaluar prej 48 orësh dhe për momentin nga Policia e Kosovës janë duke u kryer bastisje në banesën e të dyshuarit.

Para disa javëve, ishin arrestuar edhe dy persona të tjerë nga Ferizaj, të dyshuar për spiunazh.

Dy shtetasit kosovarë u arrestuan pas një hetimi disamujor dhe ngarkohen me veprën penale “spiunazh”.

Në bazë të raportimeve të mediave vendore, personat e arrestuar dyshohet se kanë spiunuar për Agjencinë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA).

Bedri Shabani, është edhe dëshmitar i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjyqin ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore