Lajme

Ndahet nga jeta dizajneri i lodrave He-Man dhe Masters of the Universe


Terrell Mark Taylor, dizajneri i lodrave “He-Man and the Masters of the Universe”, si dhe “Turtles Teenage Mutant Ninja”, ka ndërruar jetë nga sulmi në zemër në shtëpinë e tij në California.

Ai u nda nga jeta në moshën 80-vjeçare, tregon agjencia “The Guardian”.

Ashtu si në rastin e shumë përpjekjeve krijuese, shumë duar i dhanë formë personazhit “He-Man”.

Sipas Taylor-it, prototipet datojnë që nga fëmijëria e tij, pasi ai fantazoi të ishte “heroi i ardhshëm”. Ai ka treguar se e bazoi konceptin e lodrës në vizionin e tij për burrat Cro-Magnon, si dhe vikingët.

Kompania që mbante ekskluzivitetin, Mattel, shiti më shumë se 70 milionë figura aksioni nga koleksioni “Masters of the Universe” brenda 30 muajve nga momenti i daljes në dyqane.

Një kohë thuajse 40 vjet më parë.

Familja e Taylor-it ka zbuluar se ai e ka nisur karrierën e tij me kompaninë me bazë në California në vitin 1976 si dizajner paketimi.

Paçka se ai nuk krijoi asnjë nga personazhet, puna e tij si dizajner ndihmoi që ata të shndërroheshin në imazhe të famshme për shumë fëmijë në mbarë botën.

Terrell Mark Taylor ka lindur më 5 qershor 1941, sipas të dhënave të regjistrimit të votuesve në California.

Ai la pas gruan e tij prej 50 vitesh, stilisten Rebecca Salari-Taylor.

“E ndjeva t’i thoshte lamtumirë kësaj bote teksa e mbajta në krahë për një puthje të fundit të dashur”, ka shkruar Salari-Taylor në një postim në Facebook.

“Nëse do të bëja një hero për sot, do të ishte një heroinë sepse është koha, sepse heronjtë e kohës sonë janë gratë… Ne burrat e kemi pasur ditën tonë”, ka thënë Taylor-i në vitin 2015.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore