Lajme

NATO vendos të forcojë mbrojtjen e Baltikut kundër kërcënimit rus


NATO do të dakordësohet për një rishikim të planeve të saj të mbrojtjes.

Kjo për të ofruar mbrojtje më të mirë për krahun lindor të aleancës.

Jens Stoltenberg, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, për gazetën “Financial Times”, përcjell Albanian Post, tha se plani i ri ushtarak, që do të miratohet në një samit vjetor të liderëve të aleancës këtë javë, do të përmirësonte në mënyrë drastike mbrojtjen e saj lindore, duke zhvendosur fokusin nga pengimi i çdo pushtimi në një mbrojtje të plotë të territorin aleat.

Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, ka pohuar se doktrina aktuale pranon që shtetet baltike do të “fshiheshin nga harta” në rast të një sulmi rus.

“Ne kurrë nuk i ndajmë detajet e planeve operative”, tha Stoltenberg.

Sipas tij, aleanca do të përforconte ndjeshëm mbrojtjen e saj në Evropën Lindore.

Sekretari u zotua se Rusia nuk do të jetë në gjendje të pushtojë kryeqytetin estonez Talin “ashtu siç nuk kanë qenë në gjendje të pushtojnë qytetin e Kirkenes në Norvegjinë Veriore apo Berlinin Perëndimor gjatë Lufta e Ftohtë”.

“Koncepti i ri strategjik”, që do të nënshkruhet në samitin e Madridit, i cili fillon të martën, do të përcaktojë qëllimet dhe qasjet e tij për dekadën e ardhshme.

Qasja e re, e cila kthehet në elementë të planifikimit të luftës së ftohtë të NATO-s për pushtimin e mundshëm sovjetik, do t’u mundësonte komandantëve ushtarakë të aleancës të dinë paraprakisht, në çdo moment në kohë, saktësisht se cilat forca janë në gatishmëri dhe sa shpejt mund të hyjnë në fushën e betejës.

Rusia do të cilësohej si “kërcënimi më i drejtpërdrejtë dhe i menjëhershëm për sigurinë tonë”.

Samiti vjen ndërsa Moska ka rritur tensionin me kërcënimet kundër Lituanisë lidhur me dërgesat e mallrave në enklavën e Kaliningradit, një pikë ndezje e identifikuar prej kohësh nga NATO si një shkas potencial për tension më të gjerë në rajon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore