Kosova

Naser Pajazitaj i kërkon shtetit mbi 1 milion euro dëmshpërblim – qëndroi 1791 ditë i pafajshëm në burg


Ahmet Tahiri, avokat i Naser Pajazitajt, i cili ishte i dyshuar për vrasjen e kushërirës së tij, Donjeta Pajazitaj, ka dorëzuar një kërkesë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës duke kërkuar mbi 1 milion euro dëmshpërblim për klientin e tij për kohën e kaluar në burg, pak ditë pasi është shpallur i pafajshëm dhe liruar nga burgu me vendim të Gjykatës Supreme.

Në kërkesën që ai e ka dorëzuar në KGJK kërkon 1 milion euro dëmshpërblim në emër të dëmit material jo moral.

Ndërsa në emër të qëndrimit prej 1791 ditësh në burg shumën prej 107 mijë euro, derisa në emër të fitimit të humbur 28 mijë euro.

Avokati Tahiri po ashtu ka kërkuar që së paku pas 144 vizitave familjarëve në paraburgim shumë prej 14 mijë euro.

Në kërkesë kërkohen si dëmshpërblim edhe 325 euro në emër të përpilimit të kërkesës për kompensim dëmi. Ditë më parë, ishte sulmuar me armë shtëpia e Naser Pajazitajt, pati njoftuar avokati Tahiri.

“Mbrëmë familja dhe shtëpia e Naser Pajazitajt është sulmuar me armë zjarri rreth orës 02:00 të mëngjesit duke traumatizuar Naserin dhe familjen e tij. Lusim organet e drejtësisë, përkatësisht Policinë dhe Prokurorinë Themelore në Pejë që sa më parë të zbulohet ky rast dhe personat që kanë kryer këtë vepër të marrin dënimin e merituar”, kishte njoftuar Tahiri.

Ndryshe, Donjeta Pajazitaj ishte gjetur e vdekur më 27 dhjetor të vitit 2015, shtatë javë pasi ishte shpallur e zhdukur dhe po kërkohej nga organet e rendit.

Pajazitaj ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Pejë, në akuzën për vrasjen e Donjetës, ndërsa ishte dënuar me 2 vjet e 4 muaj burg në akuzën tjetër “armëmbajtje pa leje”.

Pas ankesave rasti kaloi në gjykim në shkallën e dytë. Gjykata e Apelit e kishte rikthyer rastin në rigjykim. Gjykata Themelore në Pejë, pas shqyrtimit të provave të reja, e dënoi Naser Pajazitajn me burgim të përjetshëm më 25 mars të vitit 2019.

Gjykata Supreme, më 2 dhjetor të vitit 2019, e hodhi poshtë të gjithë procesin gjyqësor, duke kërkuar që rasti të rikthehet në rigjykim, me arsyetimin se gjykatat e mëparshme kanë bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Trupi gjykues i udhëhequr nga gjyqtarja, Valdete Daka, ka konstatuar se në këtë rast nuk ka prova të drejtpërdrejta të cilat e ngarkojnë të dënuarin, për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”, duke shtuar se rrethanat subjektive në këtë rast janë kontestuese.

“Është pikërisht ky aspekt, që bëri dallimin mes interpretimit të bërë nga gjykata e shkallës së parë dhe të cilin konstatim e kishte pranuar edhe gjykata e shkallës së dytë në njërën anë dhe Gjykatës Supreme të Kosovës në anën tjetër”, shkruante në arsyetimin e Gjykatës Supreme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore