Lajme

NASA vonon nisjen e SpaceX-it, shkak një problem shëndetësor i astronautit


Agjencia hapësinore, NASA, ka njoftuar një vonesë në lëshimin e raketës së saj SpaceX me katër astronautët drejt stacionit ndërkombëtar hapësinor lidhur me një problem shëndetësor.

Kjo shënon shtyrjen e dytë të misionit brenda një jave dhe arsyetohet me një problem mjekësor të paspecifikuar të një nga anëtarëve të ekuipazhit.

E përditshmja “The Guardian” tregon se agjencia e përshkroi atë si një “problem të vogël mjekësor” që “nuk ishte një urgjencë mjekësore dhe nuk lidhej me COVID-19”.

Mirëpo, NASA nuk ka pranuar të shtjellonte natyrën e problemit ose të thoshte se cili astronaut ishte i përfshirë.

Fillimisht e caktuar për të dielën dhe më pas e shtyrë për të mërkurën për shkak të kushteve të papërshtatshme të motit, kjo nisje ishte riplanifikuar për të shtunën mbrëma.

E fundit herë që NASA vonoi një nisje të planifikuar për një problem mjekësor që përfshinte ekuipazhin ishte për një fluturim Space Shuttle Atlantis në vitin 1990, kur komandanti i misionit John Creighton u sëmur.

Asokohe, numërimi mbrapsht u ndërpre për tre ditë derisa ai u lejua të fluturonte.

Më vonë, kjo vonesë u pasua nga dy shtyrje të tjera të lidhura me motin.

Raketa e ndërtuar nga SpaceX do të fluturojë këtë fundjavë, e përbërë nga një kapsulë Crew Dragon dhe një raketë Falcon 9 me dy faza.

“The Guardian” tregon se ajo është vendosur për t’u ngritur në orën 23:36 të së shtunës nga qendra hapësinore e NASA-s, Kennedy, në Cape Canaveral, Florida.

Tre astronautët amerikanë dhe shoku i tyre i ekuipazhit të Agjencisë Hapësinore Evropiane (ESA), gjithmonë nëse gjithçka shkon mirë, do të mbërrijnë 22 orë më vonë dhe do të ankorohen me stacionin hapësinor 400 kilometra mbi Tokë për të filluar një mision shkencor gjashtëmujor.

Katër anëtarët e ekuipazhit, momentalisht do të mbesin në karantinë rutinë teksa vazhdojnë përgatitjet e nisjes, ka zbuluar NASA.

Bashkë me tre astronautët e misionit të NASA-s – komandanti i fluturimit Raja Chari, piloti i misionit Tom Marshburn dhe specialistja e misionit Kayla Barron – do të jetë edhe astronauti gjerman Matthias Maurer, specialist i misionit të ESA-s.

Nëse del me sukses, ngritja e së shtunës do të llogaritet si fluturimi i pestë njerëzor në hapësirë ​​që SpaceX ka arritur deri më sot.

Kjo vjen pas nisjes së tij inauguruese në shtator të një shërbimi të turizmit hapësinor që dërgoi ekuipazhin e parë tërësisht civil në orbitë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore