Kosova

Nagavci thirrje SBASHK-ut: Reflektoni mbi veprimet e Qeverisë – vazhdojeni procesin mësimor


Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, u ka bërë thirrje mësimdhënësve të reflektojnë mbi vendimet e Qeverisë dhe të vazhdojnë procesin mësimor.

Ajo përmes një postimi në rrjetin e saj social Facebook, ka thënë se Sindikata e Bashkuar e Arsimit nuk ka për qëllim “përmirësimin e kushteve të punëtorëve, por shantazhimin e palës tjetër”.

Për t’i bindur SBASHK-un për ndërprerjen e grevës, ajo ka marrë si shembuj grevat në Maqedoninë e Veriut dhe në Norvegji, si modele të zhvillimit të grevës së mirëfilltë.

“Para disa muajsh mësimdhënësit e Maqedonisë hynë në grevë duke kërkuar rritje të pagave. Nuk pritën që t’u plotësoheshin 100% të kërkesave, por ndërprenë grevën kur Qeveria u’a plotësoi një pjesë të kërkesave menjëherë”, ka shkruar ajo.

“Në Norvegji, nga qershori mësimdhënësit janë duke kërkuar rritje të pagave, nëpërmjet grevës. Por, tre sindikatat më të mëdha me short përcaktojnë nga 2-3 mësues në shkollë që do të mbajnë grevë në ditët përkatëse”.

Nagavci bëri të ditur se Qeveria është shumë afër dorëzimit të Projektligjit për paga në Kuvend, që sipas saj “do të rezultojë me rritje të përgjithshme të pagave të mësimdhënësve”, madje përtej kërkesës së SBASHK-ut.

Ajo ka dhënë edhe detaje se sa do të rriten pagat për mësimdhënësit me Projektligjin e ri.

“Në krahasim me pagat aktuale, rritja do të jetë domethënëse, nga 22.3% për drejtorët e shkollave të mesme të larta, deri në 40.2% për mësimdhënësit e shkollave fillore e të mesme të ulëta, e madje edhe 93.3% për bibliotekistët”.

“Me vlerën e koeficientit prej 120 eurosh, në vlera monetare rritja do të jetë nga 140 euro për drejtorë deri në 193 euro për mësimdhënës e madje 284 euro për bibliotekistë”.

Tutje, ministrja theksoi se e kanë informuar SBASHK-un për të gjitha, por përkundër kësaj, ata kanë vendosur t’i injorojnë.

“Projekt-ligjin për paga e kemi ndarë për konsultim me ta ende pa dalë në konsultim publik, përtej obligimeve ligjore që i kemi. Kërkesën e parë për takim pas nisjes së grevës e kemi bërë ne, ani që kërkesat janë të tyre. Planin afatgjatë për përmirësim të cilësisë së arsimit ua kemi komunikuar ne, sepse asnjëherë nuk ka pasur ndonjë kërkesë prej tyre”.

E arsyen për këtë injorim, siç thotë Nagavci, “e dinë vetëm udhëheqësit e SBASHK-ut, por përfundimisht kjo arsye nuk ka të bëjë me realizimin e kërkesave sindikale”.

Kanë kaluar më shumë se 2 javë që kur Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka shpallur një grevë të përgjithshme si në arsim ashtu edhe në administrat publike me të vetmen kërkesë – rritje të pagës prej 100 euro deri sa të miratohet Ligji i Pagave.

Përpjekjen e fundit “diplomatike” e bëri ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila u takua me Këshillin e Grevistëve të premten e 9 shtatorit, por pa sukses.

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore