Lajme

Nagavci: 20 raste të dhunës në shkolla gjatë periudhës 2021-2022


Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci.

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, të mërkurën ka bërë të ditur se gjatë periudhës 2021-2022 janë raportuar 20 raste të dhunës në shkolla.

“Ndonëse janë bërë hapa pozitivë në raportimin e dhunës në shkolla, ka ende të dhëna që nuk janë të raportuara. Gjate periudhës 2021-2022 janë raportuar 20 raste të dhunës në shkolla”, ka thënë Nagavci.

Ndër të tjera, në Komisionin për të Drejtat e Njeriut ka bërë të ditur se janë vetëm 28 inspektorë.

Nagavci, shtoi se për këtë kanë bërë kërkesë edhe për 83 inspektorë për shkak të numrit të vogël të tyre në kuadër të MASHT-it.

Ajo theksoi se janë në finalizim të grupit punues në mënyrë që të harmanizojmë veprimet për të ofruar ambient të sigurt për nxënësit në shkolla.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe Koalicioni i Organizatës joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF.

Më 29 mars, Komisioni Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport si dhe Koalicioni i Organizatës joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF kanë mbajtur tryezën e diskutimit me temë: “Integrimi i politikave dhe shërbimeve për trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve, me fokus në shkollë”.

Ndërsa, qëllimi i kësaj tryeze ishte diskutimi mbi modelet e integrimit të politikave dhe shërbimeve për parandalimin dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve.

“Disa prej rekomandimeve kryesore që u adresuan nga pjesëmarrësit në këtë tryezë ishin rritja e raportimit të rasteve të dhunës, rritja e monitorimit dhe llogaridhënies të ofruesve të shërbimeve, ofrimi i shërbimeve të integruara në mes të sektorit të arsimit, shërbimeve sociale dhe shëndetësisë”.

“Rritja e numrit dhe kapaciteteve të psikologëve, pedagogëve dhe stafit mbështetës në shkolla, miratimi i Grantit të Veçantë për shërbime sociale dhe, aplikimi i programeve për prindërim të mirë”, thuhet në njoftimin e bërë për media nga KOMF.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore