Kosova

Mustafa: Rugova kishte besim në SHBA-të


Ish kryeministri i Kosovës dhe ish Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka kujtuar presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën, pikërisht në ditëlindjen e tij, për të cilin thotë se kishte bindje “profetike” se vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) mund ta realizonin shtetin e Kosovës, duke shtuar se profetizmi i tij “vlen edhe në ditët e sotme”.

“Ishte prijës që kishte besim të pakufi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me bindje të fuqishme, profetike, përsëriste se vetëm me përkrahjen e SHBA-së Kosova mund dhe do të bëhet shtet”.

“Profetizmi i tij vlen po aq edhe për ditët e sotme!”, ka shkruar Mustafa.

Rugova ishte udhëheqës unik i Kosovës e me vizion të hapur.

Mustafa me anë të një statusi në Facebook ka thënë se Rugova kishte besim tek shqiptarët.

“Në Ditëlindjen e Presidentit Historik, Ibrahim Rugova, kujtoj udhëheqësin unik të Kosovës me vizion të hapur”.

“Rugova kishte besim në njerëzit; ai më shumë se çdokush tjetër e njihte mentalitetin, filozofinë, traditën dhe kërkesat e tyre”.

Ish-Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova dhe ish-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa

Ish-presidentit të Kosovës, Rugova kishte lindur më 2 dhjetor 1944 në Cërcë të Istogut, ndërsa sot e enjte, është ditëlindja e tij e ’77-të.

Ai vdiq pas një sëmundje të rëndë me 21 janar të vitit 2006, dy vite para se të shpallej pavarësia e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore