Lajme

Murphy dhe Peach flasin për Kosovën


Senatori amerikan Chris Murphy, ka njoftuar se është takuar me të Dërguarin e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, me të cilin ka biseduar situatën në Ballkan.

“Gëzohem të mirëpres të dërguarin e Britanisë për Ballkan, Lordin Stuart William Peach në zyrën time sot për të folur rreth mënyrës se si Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të punojnë së bashku për çështjet e Kosovës/Serbisë dhe Bosnjës”, shkroi ai në platformën X.

Muajin e kaluar, tre zyrtarë amerikanë – top diplomatë – dolën hapur që ta demantonin Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe t’i tregonin qytetarëve kosovarë se relacioni i marrëdhënieve në mes të dy shteteve respektive nuk është ashtu siç paraqitej nga udhëheqësi i tyre, pas vendimit, siç thotë SHBA-së “të pakoordinuar” me ta sa i përket ndalimit të dinarit serb për pagesa në territorin e Kosovës.

Vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit, së fundmi ka shkaktuar fërkimin politik të radhës në mes të Qeverisë së Kosovës – e cila në emër të ligjit po tenton ta shtrijë sovranitetin në Veri të Kosovës – dhe komunitetit ndërkombëtar – i cili s’po do “surpriza” në terren, por zbatim të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut me Serbinë, posaçërisht asaj për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore