Sport

Muller-it i vidhet shtëpia derisa ai shijonte ditëlindjen e tij dhe fitoren kundër Barcelonës


Kapiteni i Bayern Munich-ut, Thomas Muller, shijoi fitoren e ekipit të tij kundër Barcelonës me rezultat 2:0 të martën mbrëma në Ligën e Kampionëve.

Por, derisa ai ishte duke e shijuar këtë sukses, disa hajdutë e kanë vjedhur shtëpinë e tij.

Sipas asaj që shkruan gazeta gjermane, “Bild”, disa persona e kanë thyer shtëpinë e gjermanit, ku thuhet të kenë vjedhur para dhe sende me vlerë, që kapin shumën e mbi gjysmë milioni euro.

Muller, i cili po mbrëmjen e kaluar mbushi 33 vjeç e kishte mësuar këtë pasi përfundoi ndeshja edhe pse ai ende nuk ka dhënë ndonjë intervistë për këtë gjë.

Deklarata e policisë bavareze:

“Mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:00, policia është njoftuar për një vjedhje të një shtëpie një-familjare në komunën e Otterfing nëpërmjet një qendre alarmi dhe disa patrulla janë dërguar në pronë për ta kontrolluar atë”, tha policia, shkruan “Bild”.

“Pak minuta më vonë makina e parë e patrullës nga stacioni i policisë Holzkirchen mbërriti në ndërtesën e banimit, të paktën dy autorë të panjohur u larguan nga kopshti dhe u arratisën në errësirë”.

“Pas kësaj u lajmëruan njësia speciale dhe një helikopter në kërkim të hajdutëve të arratisur, por deri më tani kërkimi nuk ka pasur sukses”, thuhet në deklaratën e policisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore