Lajme

MSH pret interesim të madh për vaksinim, infektologët thonë se AstraZeneca është e sigurt dhe efektive


Ilustrim: Vaksina anti-COVID'19

Kosova është duke administruar me dozat e fundit të vaksinës AstraZeneca. Ndërsa, shpresat për dozat e ardhshme të vaksinës mbeten tek donatorët dhe lidhjen e kontratave mes MSH dhe prodhueseve.

Afër 24 mijë persona kanë marrë dozën e parë të vaksinës AstraZeneca në Kosovë. Këtë

e ka  bërë të ditur për Albanian Post, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Faik Hoti.

“Numri i vaksinave, në dispozicion është simbolik, në Prishtinë janë shpenzuar të gjitha, ndërsa aty-këtu në ndonjë komunë ka edhe ndonjë dozë që është në administrimin e sipër”, ka thënë Hoti.

Hezitimi i personelit shëndetësor, sipas Faik Hotit, ka ndodhur për shkak se çdo kund fillimi i vaksinimit është shoqëruar edhe me një lloj hezitimi. Ai thotë, se në momentin kur në Kosovë ka filluar vaksinimi, në disa shtete të Evropës ishin aktuale disa debate dhe vendime rreth kësaj vaksine.

“Çdo kund fillimi i vaksinimit është shoqëruar edhe me një lloj hezitimi. Në momentin, kur në Kosovë ka filluar vaksinimi, në disa shtete të Evropës ishin aktuale disa debate dhe vendime  parciale (ndalim i përkohshëm përdorimi), rreth kësaj vaksine (AstraZeneca), por të cilat më vonë u qartësuan dhe vaksina po përdorët gjerësisht. Prandaj, edhe kjo mund të ketë ndikuar deri-diku, por me kalimin e kohës është rritur interesimi i personelit shëndetësor për vaksinim”, thotë zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndërsa, shton se Ministria e Shëndetësisë, pret interesim më të madh për vaksinim nga të gjitha kategoritë.

“Padyshim, që presim interesim shumë më të madh nga të gjitha kategoritë dhe Ministria e Shëndetësisë, po bën çmos që kjo të ndodh sa më parë dhe procesi i vaksinimit të marr një kahje shumë më intenzive”, thotë ai.

Infektologu, Hamdi Ramadani ka thënë për Albanian Post, se të gjitha vaksinat e miratuara deri tani, duke filluar që nga AstraZeneca, Pfizer-BioNtech, Moderna etj, jnë efektive dhe në mbrojtje kundër virusit COVID-19 dhe të cilat çdo qytetarë duhet të i marrë.

Po ashtu, shton se vetë ai ka marrë vaksinën AstraZeneca, ani pse kishte të dhëna që nuk duhet të merret.

“Të gjitha vaksinat e miratuara deri tani duke filluar që nga AstraZeneca, Pfizer-BioNtech, Moderna etj. Janë efektive dhe në mbrojtje kundër virusit COVID-19 dhe të cilat çdo qytetarë duhet të i marr. Unë, personalisht e kam marr vaksinën AstraZeneca, ani pse kishte të dhëna që nuk duhet të merret”, thotë infektologu Hamdi Ramadani.

Ndërsa, sa i përket hezitimit të punëtorëve shëndetësorë për marrjen e vaksinës kundër COVID-19, ai thotë se është gabim të refuzohet.

“Mendoj se çdo punëtorë shëndetësorë duhet të e marrë vaksinën kundër COVID-19, ai që nuk e bën këtë nuk duhet të mbështetë mjekësinë, pasi që është gabim të refuzohet”.

Infektologu, shpreson se autoritetet shëndetësore dhe qeveria të sigurojnë sa më shpejt dhe sa më shumë vaksina për vendin.

“Shpresojmë se autoritetet shëndetësore dhe qeveria të sigurojnë vaksina sa më shumë dhe sa më shpejt për vendin dhe të bëhen testime sa më shumë të qytetarëve për virusin COVID-19”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore