Lajme

MPJD: Jankoviç sapo është liruar dhe ndodhet rrugës për në Kosovë


Dejan Jankoviç

Dejan Jankoviç, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës, ndaj të cilit autoritetet serbe caktuan masën e paraburgimit prej 48 orësh nën akuzën për prishje të rendit kushtetues të Serbisë, tashmë është liruar dhe ndodhet rrugës për në Kosovë, konfirmoi të enjten në mbrëmje Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) nëpërmjet një komunikatë për shtyp.

“MPJD njofton opinionin e gjerë publik se përfaqësuesi i zyrës së Republikës së Kosovës në Serbi, ambasadori Jetish Jashari, ka konfirmuar se zëvendësdrejtorit i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç, sapo është liruar dhe ndodhet rrugës për në Kosovë. Në vijim do të njoftoheni për më shumë detaje”, thuhet në njoftimin e MPJD-së në orët e vona të së enjtes.

Jankoviç ishte në mesin e 10 zyrtarëve policorë që u ndaluan nga autoritetet serbe të mërkurën e 17 prillit 2024. Serbia ndaloi mbi 1 mijë e 400 kosovarë, teksa kalonin transit nëpër territorin e Serbisë. Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) i bëri thirrje Serbisë të vetëpërmbahet nga veprimet e njëanshme përshkallëzuese dhe t’i lirojë kosovarët e ndaluar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se ndalimi dhe maltretimi i shtetasve të Kosovës u bë në shenjë hakmarrjeje pas votës dërrmuese në favor të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e vendit në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore