Kosova

MPB e konsideron si sulm terrorist hedhjen e granatës në objektin e Komunës së Mitrovicës së Veriut


Ilustrim

Ministria e Punëve të Brendshme, përmes një komunikate për media, ka reaguar pas sulmit me granatë dore në objektin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, duke i cilësuar këto sulme, si terroriste.

“Mbrëmë në orët e vona, ndërtesa e Komunës së Mitrovicës së Veriut është sulmuar me mjet shpërthyes, që sipas ekspertizës dyshohet të jetë granatë dore e llojit M75. Nga ky akt kriminal, janë dëmtuar dhe dy vetura zyrtare që gjendeshin pranë objektit. Policia e Kosovës ka marrë masat e menjëhershme në investigimin e rastit dhe identifikimin e autorëve”, thuhet në njoftim.

Sipas MPB-së sulmet e vazhdueshme terroriste ndaj institucioneve të Kosovës, duhet të përballen me reagim të ashpër nga të gjithë.

“Këto janë tentativa të njëpasnjëshme nga ana e Serbisë për të eskaluar situatën në Veri të vendit. Ne mbesim vigjilent dhe të angazhuar për rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Ndryshe gjatë natës është sulmuar me granatë dore ndërtesa e komunës së Mitrovicës së Veriut.Policia e Kosovës ka njoftuar se janë shkaktuar disa dëme materiale në dy vetura zyrtare.

“Në orët e vona të mbrëmjes nga person/a të dyshuar është sulmuar me mjetë shpërthyes Komuna në Veri të Mitrovicës. Bazuar në informatat zyrtare dyshohet se në oborrin e objektit komunal në Mitrovicë, afër hyrjes së objektit është hedhur një mjet shpërthyes, i cili dyshohet të ketë qenë granat dore, me ç ‘rast ka shkaktuar disa dëme materiale në veturat zyrtare”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Bëhet e ditur se nuk ka dëme në njerëz, ndërkaq rasti është iniciuar në organet kompetente.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore