Shqipëria

Moska po shton përpjekjet për të ndikuar në Ballkan, thotë Begaj


Ballkani Perëndimor “mbetet një zonë komplekse” dhe Rusia përfaqëson “një kërcënim” për stabilitetin e rajonit, duke qenë se ka “rritur përpjekjet e saj për të ndikuar në këtë zonë me financime të paligjshme dhe metoda hibride”.

Kështu deklaroi presidenti shqiptar Bajram Begaj në konferencën për media pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Sipas Begajt, NATO ka një efekt pozitiv në rajon dhe kjo shihet edhe nga “suksesi” i misionit të KFOR-it në Kosovë.

“Shqipëria luan një rol kyç në promovimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor, një rajon me rëndësi strategjike për NATO-n”, tha Stoltenberg. “Unë mirëpres rolin tuaj aktiv në promovimin e politikës së dyerve të hapura të NATO-s dhe përgëzoj Shqipërinë që ratifikoi kaq shpejt protokollet e anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë. Dhe kjo tregon se dera e NATO-s mbetet e hapur dhe se ne mbështesim të drejtën e çdo kombi për të zgjedhur rrugën e tij”.

Për ish-kryeministrin norvegjez të gjitha këto kontribute tregojnë përkushtimin e fortë të Shqipërisë ndaj Aleancës.

“Edhe NATO është e përkushtuar ndaj Shqipërisë. Aleatët ju qëndruan pranë pas sulmeve kibernetike të vitit të kaluar dhe ekspertët e NATO-s dhanë mbështetje. Ne po investojmë gjithashtu në bazën ajrore të Kuçovës, e cila do të rrisë sigurinë e hapësirën tuaj ajrore”, vuri në dukje Stoltenberg.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s më pas “përshëndeti” përparimin e bërë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe theksoi se kjo është “e vetmja mënyrë” për të arritur sigurinë në Kosovë.

“Ne kemi mundësinë për të arritur një marrëveshje historike për stabilitetin e rajonit dhe është e rëndësishme që të gjitha palët të tregojnë aftësinë për të qenë fleksibël dhe të gatshme për kompromis”, përfundoi ai.

Begaj tha gjithashtu se ka ndjekur me shqetësim ngjarjet në veriun e Republikës së Kosovës në fund të vitit të kaluar.

“Shqipëria përshëndet dhe mbështet dialogun Serbi-Kosovë. Që nga viti 2008, Republika e Kosovës është një vend sovran dhe i pavarur me vizion të qartë për t’u integruar në familjen euro-atlantike. Plani europian për normalizimin e marrëdhënieve është një hap pozitiv që do duhet të qendërzohet në njohjen reciproke ndërmjet dy shteteve”.

Ndër të tjera Begaj tha se Shqipëria vlerëson shqetësuese kërcënimin që vjen nga Irani.

“Në korrik dhe shtator të vitit të kaluar ne u përballëm me një sulm të rëndë kibernetik të ndërmarrë dhe të sponsorizuar nga struktura shtetërore të Republikës Islamike të Iranit. Shqipëria në bashkëpunim të ngushtë me partnerët strategjikë dhe NATO-n, arriti ta ndërpresë dhe të rikuperohet nga ky sulm, si edhe ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit”.

Ai ravijëzoi se qeveria shqiptare ka një plan ambicioz për forcimin e kapaciteteve digjitale dhe mbrojtëse kibernetike.

“Bashkëpunimi me NATO-n në këtë drejtim vlerësohet maksimalisht. Si vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në BE, Shqipëria përshëndet nënshkrimin e deklaratës së përbashkët të NATO-s me BE-në duke vlerësuar rolin e partneritetit strategjik të BE-së në mbrojtje të vlerave euro-atlantike”.

Kreu i shtetit shqiptar bëri me dije se ka diskutuar me Sekretarin e Përgjithshëm lidhur me ecurinë e punimeve në Bazën Ajrore Taktike të Kuçovës.

“Qeveria shqiptare ka shprehur ambicien, ka paraqitur projektin dhe mirëpret një prezencë detare të NATO-s në portin e ri në Porto Romano. Ky port baze detare siguron prezencë detare për Aleancën në rajonin Adriatiko-Jonian, gjithashtu edhe akses në akset kryesore të korridorit tetë. Kjo ndihmon në rritjen e shpejtësisë dhe lëvizshmërisë së Aleancës në krahun lindor dhe Ballkanin Perëndimor”.

Begaj: Zgjerimi i aleancës është detyrim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore