Lajme

“Mos kërkoni të drejta, mjafton që nuk po ju vrasim”, Kamberi thotë se këtë mesazh Bërnabiç ua dha shqiptarëve të Luginës


Shaip Kamberi.

“Mos kërkoni të drejta, mjafton që nuk po ju vrasim”, këtë mesazh sipas deputetit të vetëm shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, ua dha kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, shqiptarëve të Luginës në kuadër të Forumit Strategjik më 28 gusht.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Kamberi ka interpretuar fjalët e saj duke thënë se ka kërkuar nga shqiptarët që të mos kërkojnë të drejtat e tyre.

“Është vazhdimësi e politikës zyrtare të standardeve të dyfishta të Serbisë për trajtimin e pakicave, dhe mohimit të të drejtave elementare të pakicave brenda territorit të vet, ndërkohë që për pakicën e vet në Kosovë, tenton të ndërtojë standarde që nuk ekzistojnë në asnjë shtet tjetër”, ka shkruar ai.

Kamberi, ka përmendur edhe disa nga faktet që janë kryer krime ndaj shqiptarëve nga Serbia.

“Bërnabiç paska thënë se ‘shqiptarët në Luginë të Preshevës nuk i qëllon askush’. Faktet flasin diçka tjetër. Vetëm në periudhën e bombardimeve të NATO-së më 1999, në komunën e Preshevës, territor nën kontrollin absolut të forcave serbe të sigurisë, janë vrarë 11 civil shqiptarë, për të cilët nuk ka dhënë llogari askush. Në Komunën e Bujanocit, gjatë vitit 2000, janë vrarë 13 civilë tjerë”.

Po ashtu, rikujtoi se qindra shqiptarë tjerë janë keqtrajtuar, rrahur e plaçkitur nga forcat serbe të sigurisë, pa u dënuar askush.

“Më 2003, më 2009, me qëllim të krijimit të situatës së pasigurisë së përgjithshme, nën akuzat e rrejshme për “terrorizëm e krime lufte” janë arrestuar dhjetëra shqiptarë, të cilët, pas mbajtjes në paraburgim me muaj e vite janë liruar të pafajshme. E vrasja e Dashhnim Hajrullahut si të cilësohet? Ndaj shumë të rinjve janë ngritur procedura penale, për shkak të përdorimit të simbolit kombëtar. Ata janë detyruar ta braktisin Luginën”.

Ndërsa, përmendi se të gjithë drejtuesit institucionalë dhe politikë janë dënuar nga gjykatat serbe për arsye të përdorimit publik të simbolit kombëtar me rastin e Festës së Flamurit.

“Kur jemi te të drejtat që garantohen edhe gëzohen, situata është krejtësisht tjetër nga ajo që pretendon Bërnabiç. Serbia mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimorë, në të cilën, me ligj është ndaluar përdorimi publik i simbolit kombëtar. Serbia është vendi me pjesëmarrje më të ulët të pakicave në jetën publike dhe vendimmarrje, për shkak të politikave diskriminuese që me decenie po zbatohen”.

Ai shkrimin e tij e ka përmbyllur duke përmendur hapësirën që u jepet serbëve në Kosovë në Parlament, për dallim nga shqiptarët që duhet të luftojnë për një vend në parlament.

“Nga ana tjetër, serbët në Kosovë, kanë përdorur të gjitha mjetet, prej atyre politike (bojkotit të zgjedhjeve) deri te sulmet kundër pjesëtarëve të organeve të rendit dhe vetë ushtarëve të KFOR-it, për të destablizuar veriun e Kosovës”.

“Qëllimi destabilizues është pasojë e filozofisë politike të projektit ‘Bota serbe’. Serbia po punon të kontrollojë gjithë serbët në rajon, jo për të ndikuar në ngritjen e raporteve me ato shtete, përkundrazi për të dëshmuar fuqinë e vet destabilizuese në mbarë Ballkanin perëndimorë. Qëllim destruktiv me pasoja destabilizuese”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është përgjigjur ankesave të kryeministres serbe Ana Bërnabiç në kuadër të Forumit Strategjik më 28 gusht.

Teksa kryeministrja e Serbisë ka thënë se autoritetet kosovare nuk janë duke i zbatuar marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut, kryeministri Kurti ua ka kujtuar të pranishmëve se përderisa mbështetja për Bashkimin Evropian (BE) është 94 për qind në Kosovë, situatë e njëjtë nuk është në Serbi.

“Mbështetja për BE-në në Kosovë është 94 përqind, kurse në Serbi është 36 për qind. Ne kemi vendosur sanksione ndaj Rusisë, ndërsa Serbia as nuk i merr në konsideratë. Nuk janë distancuar as nga Millosheviçi e as nga Putini. Pra nuk është e lehtë për neve”, ka theksuar kryeministri Kurti.

Shefi i ekzekutivi ka thënë se dëshiron t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, porse në mënyrë ironike ka shtuar se më lehtë do të normalizoheshin marrëdhëniet nëse Kosova për fqinjë do t’i kishte çekët e jo serbët, megjithëse nuk e ka përjashtuar që – megjithatë – edhe me fqinjin verior mund të normalizohen marrëdhëniet.

“Normalizimi në psikologji nënkupton mungesë të konfuzitetit mes realitetit dhe fantazisë”, ka nënvizuar kryeministri Kurti, derisa i është përgjigjur deklaratës delusionale të kryeministres serbe se në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë ekziston vetëm “një shtet dhe nuk jo dy shtete”.

E ndër të tjera, kryeministri ka thënë se pret që pesë vendet mosnjohëse të BE-së (Greqia, Spanja, Sllovakia, Qipro dhe Rumania), të ndryshojnë qëndrimin e tyre dhe t’i bashkohen shumicës së vendeve që e kanë bërë këtë.

Në këtë kontekst, ai ka potencuar se disa shtete kanë bërë “hapa të vegjël e konkretë” drejt njohjes.

Kurti ‘përplaset’ me Bërnabiçin: Më lehtë do t’i normalizoja raportet me çekët – S’jeni distancuar as nga Millosheviçi as nga Putini

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore