Lajme

Modeli i “patriotizmit kushtetues” në Kroaci: Kosova duhet të krijojë strategjinë e vet për integrimin e serbëve, thotë Gjenero


Davor Gjenero

Një ndër vëzhguesit më të njohur të çështjeve ballkanike, publicisti dhe konsulenti kroat, Davor Gjenero, derisa komentoi barrën e Kosovës sa i përket themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, konsideroi se autoritetet duhet të angazhohen në dialog të brendshëm në funksion të integrimit të serbëve në insitucionet dhe shoqërinë kosovare.

Në një opinion të publikuar në rrjetin ndërkombëtar të lajmeve “Al Jazeera” të martën, ai vlerësoi se modeli i instaluar në Kroaci apo “patriotizmi kushtetutes”, si një variant i liberalizimit politik, mund t’i shërbejë edhe Kosovës, duke i shkëputur serbët nga Serbia dhe duke hequr rrezikun e imponimit të modelit të entitetit serb në Bosnje-Hercegovinë.

“Kroacia është në pozitën më të mirë, sepse komuniteti serb udhëhiqet nga njerëz që nuk janë vetëm ekzekutues të vullnetit të Beogradit. Ata kanë vendosur për një strategji të patriotizmit kushtetues, pra për perceptimin e Kroacisë si atdheun e tyre”, shkroi Gjenero, derisa shtoi se serbët jashtë Serbisë zakonisht përdoren si mjet për destabilizim.

“Kosova duhet të krijojë strategjinë e vet për integrimin e serbëve, përtej Beogradit, në organet shtetërore. Zgjidhja nuk mund të jetë imponimi i modelit ‘Republika Sërpska’ në Kosovë, por autoritetet e Kosovës duhet të gjejnë një mënyrë për t’u ofruar serbëve të Kosovës diçka më të vlefshme dhe më të gjallë”, shtoi ai, duke llogaritur në ndihmën e ndërkombëtarëve.

Në opinionin e publicistit kroat, edhe Kosovës i duhet “patriotizmi kushtetues” i cili shkon duke u zgjeruar në mbrojtje të të drejtave të pakicave dhe përforcim të sundimit të ligjit. Në ndërkohë, modeli i “patriotizmit kushtetues” ofron një teori të re të lojalitetit dhe besnikërisë qytetare ndaj shtetit, për demokraci liberale e të larmisë kulturore.

Vonë për dialog me serbët e Kosovës pas “hijes kërcënuese” të Radoiçiçit, por përpjekjet s’duhen ndalur

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore