Lajme

Mjekët dhe infermierët kinezë punojnë teksa janë të infektuar me COVID


Në Kinë, mjekëve dhe infermierëve u thuhet të vazhdojnë të punojnë edhe kur janë të infektuar me COVID.

Disa spitale në Pekin kanë deri në 80 për qind të stafit të tyre të infektuar, por shumë prej tyre ende u kërkohet të punojnë për shkak të mungesës së stafit.

Kështu ka bërë me dije një mjek në një spital të madh publik në Pekin, duke shtuar se ai kishte folur edhe me kolegët e tij në spitale të vende të tjera.

Në spitalin e tij thuajse të gjitha operacionet ishin anuluar, përveç rasteve urgjente.

Sakaq, një zyrtar i lartë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka treguar se shpërthimi i virusit në Kinë filloi “shumë përpara se të hiqeshin kufizimet”.

Por që nga ndryshimi i papritur i politikave qytetet kryesore në Pekin duket se kanë përjetuar një rritje të madhe të rasteve.

Madje autoritetet kanë thënë se është “e pamundur” të matet, pasi shumica e njerëzve nuk po testohen.

“Sëmundja po përhapej intensivisht sepse masat e kontrollit në vetvete nuk po e ndalonin virusin”, ka shtuar ai.

Kurse në Sichuan, një tjetër mjek ka thënë se spitali i tyre ishte “i mbingarkuar me pacientë”.

“Ka 700, 800 njerëz me ethe që vijnë çdo ditë. Po na mbarojnë rezervat e ilaçeve për ethet dhe të ftohtin. Disa infermierë në klinikë dolën pozitivë, nuk ka ndonjë masë të veçantë mbrojtëse për stafin e spitalit dhe besoj se shumë prej nesh së shpejti do të infektohen”, ka thënë ai.

Po ashtu pretendimet mbi infektimet e shfrenuara në mesin e stafeve të spitaleve kineze janë përhapur edhe në mediat sociale.

“80 për qind e pacientëve të sapo pranuar në departamentin tonë të vogël të frymëmarrjes të nivelit të tretë në një qytet të largët janë pozitivë”, k shkruar dikush në platformën Weibo.

Ndërkohë, përhapja nuk kufizohet vetëm në Pekin.

Banorët nëpër qytete të tjera të mëdha kanë treguar se duket sikur “rastet pozitive janë kudo”.

OBSH-ja ka ngritur shqetësime se popullsia e Kinës prej 1.4 miliardë banorësh nuk është e vaksinuar në mënyrë adekuate.

Kina ka thënë se rreth 90 për qind e popullsisë së saj është e vaksinuar dhe Komisioni Kombëtar i Shëndetit (NHC) njoftoi se do të përdorë vaksinat e dyta përforcuese për grupet me rrezik të lartë dhe të moshuarit mbi 60 vjeç.

Dhe të dhënat nga NHC tregojnë se vaksinimet janë rritur në ditët e fundit.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore