Shqipëria

Ministria e Bujqësisë: Vijon procesi i groposjes së shpendëve të ngordhur


Zëvendësministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ermira Gjeçi, në një deklaratë për mediat ka bërë me dije se po vijon procesi i groposjes së shpendëve të ngordhur.

Gjithashtu, shton ajo, është në proces e sipër dhe eliminimi i shpendëve të sëmurë.

Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, janë groposur rreth 340 mijë pula të sëmura me gripin e shpendëve dhe “po asgjësohen 120 mijë shpendë që ndodheshin në të njëjtin kapanon apo bateri”.

“Deri tani kanë ngordhur rreth 340 mijë (338426) shpendë. Procesi i groposjes vazhdon me ritme të shpejta brenda rregullave dhe konform legjislacionit në fuqi.  Procesi është dinamik dhe lëviz në varësi të rasteve të reja”, tha Gjeçi.

Zëvendësministrja ka siguruar qytetarët që janë ngritur grupe pune, të cilat po kryejnë monitorime në terren.

“Jemi në gatishmëri dhe bëjmë me dije se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është në terren me një plan veprimi të fokusuar tek shpendaria në njësitë tregtare dhe gjithë zinxhirin ushqimor për të garantuar gjithë produktet dhe nënproduktet me origjinë shpendore”.

Ajo ka bërë thirrje që “fermat që konstatojnë problematika për shpendë të ngordhur në fermë, veçse duhet të bëjnë karantinim të menjëhershëm për shmangie përhapjeje, duhet të kontaktojnë Shërbimin Veterinar”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore