Lajme

Ministri serb i mbrojtjes akuzon Kurtin për “plane negative ndaj serbëve” – “Po flasim me KFOR-in dhe faktorë të tjerë politik”


Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Nebojsha Stefanoviç

Ministri serb i mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviç, ka vazhduar diskursin politik të militarizuar dhe paranaojak të presidentit të tij, duke akuzuar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për “plane negative kundër serbëve në Kosovë”.

Njëjtë si Vuçiç, edhe Stefanoviç iu referua “operacionit Stuhia” të vitit 1995 në luftën për Pavarësinë e Kroacisë, duke thënë se “Kurti mund të provojë diçka të tillë po të mos e kishte Serbia ushtrinë e fortë”.

“Serbia nuk dëshiron konflikte, ne po flasim me KFOR-in dhe faktor të tjerë politik. Serbia shumë shpesh, për shkak se jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë, reagojmë me maturi, dhe i kuptoj reagimet e njerëzve tonë rreth kësaj çështje. Por ajo çfarë po bën presidenti po bëhet nga një burrështetas, të sheh tërë Serbin në një mënyrë serioze”, ka thënë Stefanoviç në Tv Prva.

“Ne duhet të bëjmë politik në mënyrë të zgjuar që të ruajmë popullin tonë”, tha Stefanoviç, bashkëpartiaku i Aleksandër Vuçiç.

“Duke e fuqizuar ushtrinë, ne nuk po kërcënojmë askënd, por ata e dinë që nuk mund dtë vrasin njerëzit tonë dhe e dinë se Forcat e Armatosura janë këtu për të ruajtur serbët”.

Edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili në fushatën e tij zgjedhore ka shpeshtuar diskursin për rrezik nga “provokimet dhe kërcënimet për luftë”, në një intervistë dhënë në televizionin propagandistik “Tv Happy” tha se shqiptarët në Kosovë duan ta spastrojnë etnikisht veriun e Kosovës nga serbët, duke iu referuar “Operacionit Stuhia” të vitit 1995 në Kroaci.

“Nuk kam asnjë iluzion se shqiptarët duan të kryejnë një ‘operacion Stuhie’ në Veri të Kosovës. Por, kjo nuk do të ishte e lehtë”, tha Aleksandër Vuçiç.

Vuçiç madje, mes tjerash, e paraqiti veten si “ruajtës të paqes dhe stabilitetit” pas mosmarrëveshjes së lejimit të zgjedhjeve serbe në Kosovë, duke thënë se ka sakrifikuar personalisht që të ruhet paqja, dhe të mos e njohin e Kosovën.

“Paramendojeni betejën time të brendshme për diçka personale, dhe për diçka që është në interesin kombëtar. Ja një shembull. A t’i dërgojmë kutitë e votimit në Veri të Kosovës, apo të dorëzojmë atë që do të ishte avantazhi i 50-55 mijë votave për mua. Dhe kështu, unë, që po luftoj për secilën votë që mund të marr, tani s’kam zgjidhje tjetër pos të dorëzoj një numër të madh të votave. Më mirë të mbetem pa 50 mijë vota se sa të ndodh një katastrofë ndaj nesh. Do të ishte një de fakto njohje e Kosovës. Mirëpo, nuk ka zgjedhje dhe as vota përmes të cilave do t’ua jepnim pavarësinë”, ka thënë Aleksnadër Vuçiç.

Kjo, sipas Vuçiç, ishte “gracka” që ia kishte përgatitur Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i cili kërkoi që Qeveria e Republikës së Serbisë t’i drejtohet me kërkesë zyrtare Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Vuçiç, gjithashtu tha se ekziston indinjatë e thellë nga serbët e Kosovës ndaj Albin Kurtit.

“Kurrë nuk i kam parë njerëzit e Kosovës në atë gjendje sesa atë ditë kur erdhën në Beograd. Serbët gjithmonë më kanë dëgjuar dhe më kanë thënë se e kuptojnë se çfarë kam refuzuar në Bruksel dhe Washington. Për herë të parë kam parë kaq shumë hidhërim te ta. Ata erdhën në takim, komandantët e njësive të veriut, edhe pse ishin kërcënuar, dhe i luta ata të mos e bëjnë këtë, sepse nëse i lënë institucionet do të ishte katastrofike për ta. Po e shtyej mbledhjen deri pas zgjedhjeve, që situata të mund të jetë më e mirë”, tha Vuçiç mes tjerash.

Zgjedhjet serbe të 3 prillit nuk do të mbahen në Kosovë, pasi Serbia refuzoi t’i adresohet qeverisë së Republikës së Kosovës me një kërkesë zyrtare për të marrë leje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore