Lajme

Milatoviç s’betohet në Cetinje, por në Podgoricë – për arsye sigurie


Jakov Milatoviç

Presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, betimin e tij si president nuk do ta bëjë siç ka ndodhur zakonisht në Cetinje, por në Podgoricë, e kjo për shkaqe sigurie.

Inaugurimi i presidentit të ri malazez, Jakov Milatoviç, që do të bëhet më 20 maj do të mbahet në Podgoricë, me shumë gjasë në Kuvendin e Malit të Zi, raporton media malazeze “Vijesti”.

Tradita e betimit të kreut të shtetit malazez do të ndryshojë këtë vit për shkak të vlerësimit të policisë se Millatoviç mund të kërcënohej në Cetinje.

Inaugurimi, gjegjësisht shpallja ceremoniale e presidentit në seancën e Kuvendit, është mbajtur në gjithmonë në Rezidencën e Qeverisë malazeze në Cetinje.

Ndërsa, Drejtoria e Policisë malazeze, duke folur për këtë çështje ka thënë se është duke u zhvilluar procesi i vlerësimit të sigurisë së inaugurimit në Cetinje, si dhe përgatitjet për sigurimin e vetë ngjarjes.

Sipas Ligjit për Presidentin në Mal të Zi, para marrjes së detyrës, presidenti bën betimin para deputetëve të Kuvendit të Malit të Zi ku thotë: “Betohem se do t’i kryej detyrat e presidentit me përgjegjësi, nder, ndërgjegje, drejtësi dhe ndershmëri. në mënyrë të paanshme, sipas Kushtetutës dhe ligjit”.

Ndryshe, Milatoviç, si kandidat i Lëvizjes “Evropia Tani” mundi kreun aktual të shtetit malazez dhe liderin e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Milo Gjukanoviç, në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të 2 prillit.

Sipas rezultateve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor malazez, Milatoviç ka fituar 221.592 vota, ose 58,88 për qind të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme, ndërsa Gjukanoviç ka fituar 154.769 vota ose 41,12 për qind.

Pas zgjedhjeve, Gjukanoviç ka uruar Milatoviç-in, duke thënë se do të mundohet t’i kryej detyrat në mënyrën më të mirë deri në fund të mandatit, që do të thotë se nuk do të tërhiqet nga detyra para përfundimit të mandatit më 20 maj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore