Lajme

Milatoviç: Marrëdhëniet Mali i Zi-Serbi duhet të jenë më të mira të mundshme


Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç.

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, ka thënë se marrëdhëniet me Serbinë, pavarësisht elitave politike që janë pushtet në një moment të caktuar, “duhet të jenë më të mira të mundshme”.

“Kështu mendojnë qytetarët në Mal të Zi dhe Serbi. Dhe kjo është politika ime. Marrëdhëniet tona bazohen kryesisht në rëndësinë ekonomike, por edhe në lidhjet tradicionale historike mes dy vendeve tona”, tha Milatoviç.

Sipas tij, situata në Mal të Zi, në vitin 2020, pra deri në kohën kur në pushtet ishte Partia Demokratike e Socialistëve – e ish presidentit malazez, Milo Gjukanoviç – në aspektin e marrëdhënieve me Serbinë “ishte shumë e keqe”, kjo pasi që Gjukanoviç kishte pasur retorikë të ashpër ndaj Beogradit – për shkak të politikave destabilizuese të kësaj të fundit ndaj shtetit malazez.

“Ne po bëjmë gjithçka për ta ndryshuar atë për mirë, me respekt dhe mirëkuptim të plotë reciprok”, theksoi.

Duku iu përgjigjur raportimeve që Beogradi po insiston për hyrjen e koalicionit “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” – të njohur për orientimin e tyre pro ruso-serb – ai pohoi se nuk e di nëse dikush ka insistuar për hyrjen e ndonjë subjekti politik në qeverinë e re dhe se ai nuk ka marrë kërkesa të tilla.

“A ka pasur mandatari (Milojko Spajiç), apo ndonjë pjesëmarrës tjetër në procesin e formimit të qeverisë, ato lloj kërkesash, kjo është një pyetje për ta”, theksoi.

Në nivel parimor, pohoi Milatoviç, “publikisht kam thënë disa herë se nuk mund të pranoj që çdo subjekt politik që ka marrë besimin e qytetarëve, paraprakisht të përjashtohet nga pjesëmarrja në qeveri”.

Shumë njohës të çështjeve politike e konsideruan mosmarrëveshjen e Milatoviç-it me kryetarin e Lëvizjes “Evropa Tani”, Milojko Spajiç, me konfliktin mes Milo Gjukanoviç-it dhe Momir Bulatoviç-it, ai tha se “Jakovi dhe Milojko nuk janë Milo dhe Momiri i ri”.

“Nuk është as koha e njëjtë, as rrethanat e njëjta në të cilat ata së bashku kanë mbajtur funksione të rëndësishme shtetërore dhe pastaj në një moment kanë shkuar në anë të ndryshme politike”, deklaroi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore