Lajme

Milatoviç: Mali i Zi s’ka problem me asnjë vend fqinj, jemi të përkushtuar ndaj stabilitetit rajonal


Jakov Milatoviç

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, ka thënë se vendi që ai udhëheqë nuk ka asnjë problem me vendet fqinje, derisa ka theksuar se shteti malazez është i përkushtuar ndaj stabilitetit rajonal.

Këto komente, Milatoviç i ka bërë në panelin e titulluar “75 vjet NATO: Një mburojë sigurie në një botë pasigurie”, ku ka theksuar se Aleanca është themeli i sigurisë për të gjithë anëtarët e saj.

“Mali i Zi nuk ka asnjë problem me fqinjët e tij. Nga një rajon i paqëndrueshëm nuk mund të përfitojë asnjë vend”, deklaroi Milatoviç, transmeton media malazeze “Vijesti”.

Kreu i shtetit malazez ka shtuar se mbrojtja kolektive dhe gatishmëria e Aleancës për t’iu përgjigjur të gjitha sfidave të sigurisë “na siguron mbrojtje, parashikueshmëri dhe stabilitet, forcimin e gjyqësorit dhe ndërtimin e shoqërisë civile”.

“75 vjet më parë, Evropa po rimëkëmbej nga Lufta e Dytë Botërore. Vendet e Evropës Perëndimore dhe Amerikës së Veriut themeluan NATO-n – një garanci e paqes kolektive. Anëtarësimi në NATO është një hap i rëndësishëm në historinë moderne të Malit të Zi”, vlerësoi.

Ai nënvizoi se anëtarësimi në NATO është garanci për tejkalimin e problemeve dhe fërkimeve rajonale.

“Agresioni rus kundër Ukrainës është një prej tyre. Gjatë Luftës së Ftohtë, Suedia dhe Finlanda nuk e ndienin shkallën e kërcënimit që do të tronditte neutralitetin e tyre dhe sot ata janë anëtarë të NATO-s. Lufta në Ukrainë është një problem i sigurisë globale. sidomos në kufijtë lindorë”, potencoi Milatoviç.

“Rëndësia e NATO-s është edhe në faktin se ajo u përgjigjet sfidave të shumta si kërcënimet hibride, sulmet kibernetike ndaj të cilave jemi ekspozuar edhe ne”, pohoi.

Ai theksoi se, përveç presidentit, është e nevojshme që të gjithë aktorët, e veçanërisht qeveria, siç tha ai, të harmonizojnë politikën me politikën e sigurisë të Bashkimit Evropian (BE) dhe NATO-s.

“Është e rëndësishme që Mali i Zi t’u përgjigjet sfidave, në mënyrë që t’ua lërë brezave të ardhshëm një vend dhe shoqëri më premtuese”, tha Milatoviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore