Sport

Milan – Salzburg/ Tre ndryshime të sigurta në formacionin e Pioli-t


Milan-i u ndal nga Torino mbrëmjen e së dielës, duke u mposhtur me rezultat 2:1. Përveç humbjes, kuqezinjtë patën një paraqitje shumë të dobët.

Megjithatë, kjo disfatë duhet të lihet pas krahëve, pasi që këtë të mërkurë, kampionët e Italisë do ta kenë ndeshjen tejet të rëndësishme në Ligën e Kampionëve.

Në Champions do të luhet xhiroja e fundit e grupeve, derisa Stefano Pioli-t do t’i mjaftonte vetëm një barazim ndaj Salzburg-ut, për ta kaluar ekipi i tij grupin.

Një nga objektivat sezonal është pikërisht mbyllja e grupit në dy pozitat e para dhe kualifikimi në fazën e 1/8-ve të finales.

Ka pak për të bërë, por kampionët e Italisë nuk duhet të gabojnë. Do të duhet një paraqitje që sigurisht është e ndryshme nga ajo e ofruar kundër Torinos dhe do të duhet një provë e madhe nga të gjithë futbollistët që do të zbresin në fushë.

Mediat në Itali shkruajnë se mbrojtja do të ndryshojë me Simon Kjaer që pritet ta nisë nga fillimi, duke formuar dyshen e mbrojtjes me Fikayo Tomori-n. Në krah do të luajnë Pierre Kalulu dhe i paprekshmi Theo Hernandez.

Dyshja e mesfushës do të rikthehet me Ismael Bennacer dhe Sandro Tonali, derisa Tommaso Pobega do të ulet në stol.

Ndërkohë, mediat italiane shkruajnë se treshja ofensive nuk dihet ende sigurt. Rafael Leao dhe Brahim Diaz do ta nisin nga fillimi, por nuk dihet se cili prej Junior Messias dhe Ante Rebic do të startojë, me brazilianin që shihet më shumë favorit ndaj kroatit.

Kurse sulmi tashmë është i sigurt që do t’i besohet Olivier Giroud-it, i cili pushoi shumicën e ndeshjes ndaj Torinos.

Formacioni i mundshëm i Milan-it (4-2-3-1): Tatarusanu; Kalulu, Kjaer, Tomori, Theo Hernandez; Bennacer, Tonali; Messias, Diaz, Leao; Giroud.

Kujtojmë që në Grupin E, Chelsea tashmë e ka siguruar vendin e parë me 10 pikë, Milan-i gjendet në të dytin me shtatë dhe Salzburg mban të tretin me një pikë më pak se kuqezinjtë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore