Shqipëria

Michel sot në Tiranë, Rama ‘joentuziast’


Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel do të mbërrijë ditën e sotme në Tiranë për një vizitë zyrtare.

Në agjendën e zbardhur bëhet me dije se në orën 10:15 do të zhvillohet ceremonia në bulevardin pranë Kryeministrisë.

Më pas, në orën 10:30, do të behët takimi kokë më kokë dhe takimi i dy delegacioneve.

Në agjendë gjithashtu është e përcaktuar konferenca për shtyp.

Michel po zhvillon një tur ballkanik, ku fillimisht ishte në Serbi më 19 maj, më 20 maj në Shqipëri dhe takimi pasues do të jetë në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Mirëpo, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nuk ka shprehur “entuziazëm” për vizitën e tij.

“Presidenti Charles Michel do të vijë, por nuk janë ditë vendimtare për Shqipërinë. Unë nuk shoh asgjë vendimtare në raport me këtë fakt, ky është një proces me të cilin ne tanimë jemi mësuar se si funksionon”, deklaroi kreu i qeverisë shqiptare, referuar rëndësisë që ka për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Gjithashtu, më 11 prill, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se, nëse deri në muajin qershor nuk do të hapen negociatat mes BE-së dhe Shqipërisë, qeveria shqiptare do të kërkojë ndarjen nga oferta e përbashkët me Maqedoninë e Veriut.

Kjo deklaratë e Ramës erdhi gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kancelarin gjerman Olaf Scholz.

“Rëndësia e BP-së për Michelin” 

Kujtojmë që në konferencën për shtyp pas përfundimit të Samitit midis liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor të mërkurën e 6 tetorit, Michel theksoi se me rëndësi strategjike për Bashkimin Evropian është rajoni i Ballkanit Perëndimor.

“Konfirmojmë punën që duhet të bëjmë për zgjerimin. Ka pasur qartësi politike mes nesh, për të intensifikuar punën politike që duhet të bëjmë. Lufta kundër korrupsionit është në ADN-në e unionit. Kemi debate politike mbi to dhe duhet parë si mund të arrijmë më shumë progres mbi parimet evropiane”.

Sipas tij, kjo është zgjedhje që e duan evropianët, por edhe qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel

“Çështja e klimës dhe agjenda digjitale është në fokusin tonë. BE-ja duhet të jetë më e dukshme në këto shtete mbi bazë të këtyre agjendave. Kjo është pika e dytë shumë e rëndësishme”.

Gjithashtu, Michel ravijëzoi se pika e tretë është ajo e zgjidhjes së konflikteve të Ballkanit.

“Çështja e minoriteteve duhet trajtuar. Ka pasur progres, por inkurajojmë më shumë punë për këto çështje, që të avancojmë politikat tona”, bëri me dije presidenti.

Për të, ka një debat të 27 vendeve mbi zgjerimin e unionit.

“Duhet të vendosim së bashku si duam t’i marrim vendimet dhe çfarë duam të bëjmë. Ka disa tema, tek të cilat duhet të fokusohemi mes nesh, për t’i kthyer në çështje më konkrete dhe të jemi më të angazhuar me politikat tona”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore