Shqipëria

Meta i shpreh mirënjohje Italisë për avokatinë e fortë në procesin e integrimit në BE


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, pati sot një takim me Presidentin e Dhomës së Deputetëve të Italisë, Roberto Fico, i cili ndodhet në Shqipëri për vizitë zyrtare.

Presidenti Meta çmoi rëndësinë e vizitës së Presidentit Fico në Shqipëri, si në planin dypalësh, edhe në atë të integrimit në Bashkimit Evropian, si dhe avokatinë e fortë dhe të vazhdueshme të Italisë ndaj Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Meta vlerësoi marrëdhëniet historike dhe partneritetin strategjik midis dy vendeve dhe popujve, si dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e gjithanshme që Italia i ka dhënë Shqipërisë ndër vite.

Kreu i Shtetit nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimin ndër-parlamentar jo vetëm në nivelin politik, por sidomos në nxitjen e Qeverive për realizimin e projekteve të rëndësishme ekonomike dhe zhvillimore me impakt dypalësh dhe rajonal, në sektorët e energjisë dhe burimeve alternative të saj.

Presidenti Meta gjithashtu falënderoi Presidentin e Dhomës së Deputetëve të Italisë, Roberto Fico, për nismën legjislative dhe miratimin e buxhetit përkatës për zbatimin e “Marrëveshjes së njohjes së kontributeve të pensioneve për shtetasit shqiptarë”, të cilët përbëjnë sot një pjesë të rëndësishme të jetës ekonomike, sociale, qytetare e kulturore dhe luajnë një rol thelbësor në rritjen ekonomike të vet Italisë.

“Në themel të miqësisë së lashtë mes dy popujve qëndrojnë jo vetëm arbëreshet në Itali dhe komuniteti shqiptar i pas viteve ‘90, por edhe komuniteti italian, investitorët dhe studentët në Shqipëri, numri i të cilëve është gjithnjë në rritje”, mbylli fjalën e tij, Kreu i Shtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore