Shqipëria

Meta i rikthehet Teatrit: Mos të ringjallim më kujtimet e kazmave të diktaturës


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka deklaruar në Ditën Botërore të Teatrit se nuk duhet “të ringjallim më kujtimet e kazmave të diktaturës”.

Kjo, referuar prishjes së Teatrit Kombëtar më 17 maj të vitit 2020.

Meta ka shprehur në mesazhin e tij të shpërndarë në mediat sociale edhe mirënjohjen më të thellë “të gjithë artistëve jokonformistë dhe qytetarëve”.

Këta të fundit, sipas kreut të shtetit, me sakrifica dhe nën presione të pashembullta, i dhanë zë me forcë kauzës së Teatrit Kombëtar.

Ata zgjuan ndërgjegjen shoqërore për rrezikun që kërcënon trashëgiminë kulturore kombëtare, shton presidenti.

“Të jemi më të vëmendshëm dhe më të ndërgjegjshëm për të mbrojtur vlerat kulturore dhe historike, për të mos lejuar më ringjalljen e kujtimeve të hidhura të kazmave të diktaturës, sepse çdo humbje është jo vetëm e parikuperueshme por edhe një cenim i drejtpërdrejtë i identitetit tonë kombëtar, që nuk duhet lejuar të ndodhë më”, theksoi Meta në reagimin e tij.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta
Historiku i çështjes së Teatrit

Orët e para të 17 majit të vitit 2020, do ta gjenin gjithë Shqipërinë, por veçanërisht kryeqytetin, përballë lajmit të shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar.

Ngjarja menjëherë krijoi një dyzim në opinionin publik dhe mbi të gjitha, nisi një zanafillë konfliktesh midis disa palëve.

Prej thuajse dy vjetësh, disa aktorë të Teatrit, por edhe aktivistë, i kishin dalë kundër propozimit fillimisht dhe më pas vendimit të Qeverisë, për të prishur godinën.

Kjo, sepse sipas tyre, Teatri ishte pjesë e trashëgimisë kulturore dhe nuk mund të prekej.

Nëntë ditë përpara prishjes, më 8 maj 2020, Teatri Kombëtar i kaloi përfundimisht Bashkisë së Tiranës në pronësi. Ishte pikërisht ky vendim, ai i cili i hapi rrugë prishjes së godinës.

Prishja shkaktoi një sërë protestash publike edhe pse vendi gjendej në kohë pandemie. Jo të pakta ishin edhe rastet kur pati konfrontim fizik midis aktivistëve dhe policisë.

Por, ajo që mbetej, ishte një shesh bosh, nje plan i ri për teatrin dhe një grupim njerëzish të mbështetur nga presidenti, për të çuar kauzën në Gjykatën Kushtetuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore