Kosova

“Mësimdhënës, vaksinohuni në të kundërtën do të ndjeheni fajtorë nëse përkeqësohet situata”


Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) përmes një komunikate kanë shprehur shqetësimin tyre për numrin e vogël të mësimdhënësve të vaksinuar deri tani kundër COVID-19.

Ata kanë kërkuar nga mësimdhënësit të vaksinohen, “në të kundërtën do të ndjeheni fajtorë nëse përkeqësohet situata dhe dëmtohet rrjedha e mbarë e vitit shkollor”.

SBASHK-u, u bënë thirrje që të vaksinohen mësimdhënësit që të jenë të mbrojtur dhe të kontribuojnë në fillimin e mbarë të vitit shkollor në gjithë institucionet arsimore.

“Kujtojmë anëtarësinë se kryetari dhe gjithë stafi qendror kanë marrë edhe dozën e dytë të vaksinës dhe këtë e kanë bërë me qëllim që të jenë të mbrojtur dhe kështu me sukses të vazhdojnë të përballen me sfidat dhe të jenë në krye të detyrës për realizimin e kërkesave të anëtarësisë”.

Tutje SBASHK-u ka kërkuar nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, që punëtorët arsimor të jenë prioritet sa i përket vaksinimit.

“Tani ju drejtohemi me apelin që të vaksinohen dhe kështu ta mbrojnë veten, familjen, kolegët, nxënësit dhe te kontribuojnë në rrjedhën e mbarë të procesit mësimor në institucione e jo të vijmë në pozitë që të kalohet në versione të tjera të mësimit, që nuk ka qenë dhe nuk është dëshirë e asnjërit nga ne”, thuhet në komunikatë.

Kosova i ka mbi 23 mijë mësimdhënës, por vetëm rreth 9 mijë prej tyre janë vaksinuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore