Lajme

Meloni: Fitorja jonë frymëzim për aleatët, Evropa duhet të jetë më e guximshme dhe modeste


Frymëzim, kërkesa dhe premtime.

Janë këto fjalët e zgjedhura nga kryeministrja e ardhshme e Italisë, Giorgia Meloni, gjatë një vidokonference në evenimentin elektoral të “Vox Spaniards”.

Meloni nga aty u shpreh se Evropa në këtë situatë duhet të tregohet më e guximshme në veprime. Kjo për t’iu përgjigjur krizave të mëdha.

“Ne kemi nevojë për një Evropë më të guximshme për t’iu përgjigjur krizave të mëdha dhe skenarëve ndërkombëtarë dhe pak më modeste kur bëhet fjalë për çështjet e brendshme që shtetet mund t’i zgjidhin më mirë”.

Po ashtu, Meloni ka deklaruar se njerëzit tashmë e kanë kuptuar se “ne nuk jemi monstra, ne jemi realistë dhe jo populistë”.

Nga videokonferenca, ajo premtoi se “në ditët në vijim do të thirret për t’i transformuar këto ide në politika konkrete të qeverisë, si miqtë në Çeki dhe Poloni”.

Ekstremistja e krahut të djathtë tha se shpreson se edhe suedezët të vazhdojnë të ndjekin të njëjtën rrugë.

Meloni në fjalët e saj theksoi se, Qeverisë italiane i duhen aleatë besnikë, që nuk “vështrojnë majtas”.

“Në Itali, si në Spanjë, si në të gjithë Evropën, ka një shumicë qytetarësh që nuk e njohin as shohin veten në utopitë dhe ideologjitë e së majtës dhe që na kërkojnë të marrim përgjegjësinë e punës”.

Ajo ravijëzoi se këtë nuk mund të realizojë dot vetëm, por i duhen shoqërues besnikë, të cilët “duhet të ndalojnë së shkeluri syrin majtas dhe në vend të kësaj na ndihmojnë të organizojmë alternativën e majtë”.

Sipas saj, fitorja e Partisë që ajo drejtoi dhe e qendrës së djathtë njëkohësisht ka prodhuar entuziazëm të madh.

“Nëse në bazë të Kushtetutës ne kemi mundësinë të formojmë qeverinë e re, do të kemi përgjegjësinë e madhe për të dhënë përgjigje të menjëhershme për problemet e italianëve”, tha Meloni.

Po ashtu ajo ceku edhe një çështje që ka sjellë diskutime në vendet e Bashkimit Evropian.

Bëhet fjalë për kufirin e çmimit të gazit. Për Melonin ky i fundit është i nevojshëm.

“Kriza energjetike po shkakton fatura marramendëse në Itali për familjet dhe bizneset dhe duhet të përfundojë menjëherë. Në këtë kuptim ne shohim vështirësitë me të cilat ballafaqohet BE-ja, shpresojmë për një zgjidhje të përbashkët dhe të qëndrueshme siç është vendosja e një kufiri të çmimit të gazit”.

Kjo, sipas saj, do të bëjë të mundur frenimet që i duhen qytetarëve.

Ajo shtoi se Evropa duhet të tregojë se është e aftë për tu solidarizuar.

Ndërkohë kryeministrja e ardhme italiane i qëndroi mendimit se përpjekje e presidentit rus, Vladimir Putin për të aneksuar rajonet e Ukrainës janë të papranueshme.

“Në Ukrainë situata është serioze. Kjo pas agresionit rus e përpjekjes së papranueshme të Putinit për të aneksuar rajone të reja në Rusi”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore