Lajme

Mehaj merr pjesë në 10-vjetorin e Programit të Partneritetit Ndërshtetëror të Kosovës dhe Iowa-s


Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj

Ministri i Mbrojtjes në Kosovë, Armend Mehaj, ka udhëtuar sërish drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në 10 vjetorin e Programit të Partneritetit Ndërshtetëror të Kosovës dhe Iowa-s.

Mehaj përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka bërë të ditur se gjatë kësaj vizite do të takohet me guvernatoren e Iowa-s, Kim Reyndols.

“Sot u nisa përsëri në SHBA për një event shumë të veçantë. Këtë fundjavë do të festojmë së bashku në Des Moines, 10 vjetorin e Programin e Partneritetit Ndërshtetëror në mes Kosovës dhe shtetit të Iowa-s”, ka shkruar Mehaj.

Siç theksoi Mehaj, vizitën do ta vazhdojë edhe me pjesëmarrjen në aktivitetet festive që do të organizohen për të shënuar “këtë jubile shumë të rëndësishëm për dy vendet”.

“Partneriteti ynë ndërshtetëror në përgjithësi dhe në mes dy forcave në veçanti, është historia dhe realiteti më i shkëlqyeshëm, si dhe faktori më i rëndësishëm për të gjitha sukseset dhe të arriturat e deritashme të FSK-së”, shtoi ai.

Ai duke falënderuar shtetin e Iowa-s, për ushtarakët e Gardës Kombëtare she kontributin e saj në zhvillimin dhe vancimin e aftësive të FSK-së, ka thënë se “partneriteti ynë me Departamentin Amerikan të Mbrojtjes, Ushtrinë Amerikane, Byronë e Gradës Kombëtare dhe Gardën Kombëtare të Iowa-s, do të vazhdojë dhe intensifikohet edhe më tej, me partneritet të përjetshëm”.

Ndërkaq, Mehaj ditë më parë ka marrë pjesë në Samitin e 15 vjetorit të Asociacionit Ndërkombëtar i Operacioneve të Stabilitetit në SHBA (ISOA), ku ishin në mesin e mbi 300 personaliteteve zyrtare nga e mbarë bota.

Po ashtu, më 25 tetor të këtij viti, Ministria e Mbrojtjes ka shpërblyer me medalje, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), pas përfundimit të misionit të tyre të parë jashtë vendit, gjatë periudhës maj dhe tetor përkrahë Gardës Kombëtare të IOËA në shtetin e Kuvajtit.

Pjestarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës

Zëvendësministri i mbrojtjes, Shemsi Syla ndau medaljet “Pjesëmarrje në operacione ndërkombëtare” dhe e quajti moment kulminant pjesëmarrjen e pjesëtarëve të FSK-së në misionin në Kuvajt.

Kontingjenti i FSK-së ka realizuar shërbimin në kuadër të misionit paqeruajtës dhe stabilitetit në kuadër të Gardës Kombëtare të Iowa-s në Lindje të Mesme në shtetin e Kuvajtit, gjatë periudhës kohore maj-tetor 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore