Lajme

Mehaj bën homazhe te varrezat e dëshmorëve në Rogovë të Hasit


Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj të shtunën ka bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Rogovë të Hasit.

Këtë e bëri të ditur vetë Mehaj përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Me kujtimin dhe nderimin e përjetshëm, sot bëmë homazhe tek Monumenti i Dëshmorëve në Rogovë të Hasit si dhe tek varrezat e dëshmorëve”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Ai tutje është shprehur se në datat 27,28 dhe 29 janar të vitit 1999 kishin rënë dëshmorë 21 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe shumë civilë të fshatit.

“Aty heroikisht dhanë jetën: Agim Zeneli, Luan Smajli, Agron e Sejdi Rama, Pren e Meme Lleshi, Agush Gjoci, Valon Gashi, Bahtjar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çeta, Kasim Shala, Hamdi Berisha, Gezim Ademi, Haxhi Lypjani, Gasper Karaçi, Ilir Merturi, Naim Gashi,Naim Dreshaj,Sahit Krasniqi dhe Vesel Avdyli”.

Ndërsa shtoi se, “në këtë datë, kujtojmë edhe nëntë të rënë të tjerë në fshatin Goden dhe Bishtazhin të komunës së Gjakovës. Të lavdishëm gjithmonë!”.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe me rastin e 23 vjetorit të masakrës në Rogovë të Hasit.

Ai ka përkujtuar kohërat, kur është bërë përpjekje që të çahet rrethimi për në Shqipëri për të marrë armë, pasi sipas tij, në vjeshtën e vitit 1998, kishin mungesë të armëve e të bashkëluftëtarëve.

“Kjo kohë ka qenë e vështirë sepse diku prej vjeshtës së vitit 1998 , prej shtatorit, kemi pasur mungesë të armëve e bashkëluftëtarëve”.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

“Disa herë kemi bërë përpjekje që ta çajmë rrethimin për të shkuar në Shqipëri për armatim, por në të njëjtën kohë edhe t’i dërgojmë të plagosurit, por ka qenë gati e pamundur”, ka shkruar Haradinaj.

Ndërsa, shtoi se kjo lëvizje ka hasur në shumë pengesa.

“Për fat, kjo lëvizje, ky operacion ka hasur në shumë pengesa ku si rezultat i luftimeve janë vrarë 29 luftëtarë të zot, heronj, dëshmorë të kombit”.

Në Kosovë, në vitet 1998 – 1999 ndodhën tetë masakra.

Në vitin 1998 ndodhi masakra e Prekazit (Jasharëve), duke vazhduar më pas në vitin 1999 me masakrën e Reçakut, masakrën e Izbicës, e Rezallës, e Dubravës, masakrën e Krushës së Madhe në Rahovec, masakrën e Rugovës të Hasit, si dhe masakrën e Studimes në Vushtrri.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.

Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur, kryesisht shqiptarë.

Në përfundim të misionit të tij, Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ka rekomanduar që vendet e ish-Jugosllavisë ku përfshihej edhe Kosova t’i hetojnë dhe trajtojnë krimet që janë kryer në territorin e këtyre vendeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore