Lajme

Mediumi serb: Kurtit i është dhënë afat deri me 17 shkurt


Ilustrim

Ndërkohë që vëmendja më e madhe është përqendruar në propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe kur së shpejti pritet të zhvillohet edhe takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut, një ndër çështjet më problematike mbetet ende Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.

Mediumi opozitar serb Nova, duke u thirrur në burime diplomatike shkruan se kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i është dhënë afat deri më 17 shkurt të këtij viti për të marrë një vendim përfundimtar sa i përket kësaj strukture të re vetëqeverisëse për serbët e Kosovës.

Në dhjetë ditët e fundit, janë organizuar dy takime nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë me përfaqësuesit e institucioneve, partive politike dhe të shoqërisë civile për të diskutuar lidhur me këtë çështje.

Por, në një takim me përfaqësuesit amerikanë ku pjesëmarrës ishte vetëm kryeminisri Kurti, siç pretendon të ketë mësuar mediumi serb, atij i është dhënë një afat final për të dhënë përgjigjen e tij përfundimtare.

SHBA-të dhe Bashkimi Evropian po kërkojnë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe duke u thirrur në Marrëveshjen e vitit 2013 të arritur në Bruksel e të ratifikuar në Kuvendin e Kosovës – Marrëveshja e Parë që ka ende fuqinë ligjore të një marrëveshje ndërkombetare.

Në atë takim, siç shkruan mediumi serb, është diskutuar edhe për pasojat që mund të vijnë nëse autoritetet kosovare nuk pranojnë të zbatojnë Marrëveshjen e Brukselit për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Përfaqësuesit amerikanë, sipas mediumit, ua kanë bërë të ditur palës kosovare se nëse nuk themelohet ky lloj mekanizmi deri më 17 shkurt – dita kur Kosova feston pavarësinë – KFOR-i do t’i largojë njësitet speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i vendit duke vënë në pikëpyetje edhe bazat policore që ishin ndërtuar muaj më parë në Leposaviq dhe Zubin Potok.

Presioni evropiano-amerikan për funksionalizimin e një mekanizimi të tillë që bazën fillestare e ka te propozimi i presidentit Marti Ahtisaari – përmes të cilit erdhi edhe deri te shpallja e pavarësisë së Kosovës – po shkon duke u rritur në një kohë kur dialogu ka hyrë në 100 metershin e fundit.

Ndryshe, kryeministri Kurti i cili deri më tani ka kundërshtuar dhe sfiduar fuqishëm krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, të enjten e 2 shkurtit shpalosi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës gjashtë kushtet për formimin e kësaj strukture të re.

Kurti kishte thënë se ky mekanizëm nuk mund të jetë njëetnik, ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, të riemërohet dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive dhe të ketë të përfshirë parimin e reciprocitetit mes shteteve sa i përket të drejtave të pakicave kombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore