Shqipëria

Me Kosovën në mendje dhe zemër, Xhaçka përshëndet marrëveshjen Prishtinë-Beograd dhe i kërkon Asamblesë Parlamentare të KiE-së të zhbëjë raportin e Dick Martyt


xhacka ap

Pas një takimi kokë më kokë me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla, kryediplomatja shqiptare, Olta Xhaçka, ka përshëndetur zyrtarisht arritjen e marrëveshjes për targat, që u arrit mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, si edhe i kërkoi sërish Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të zhbëjë raportin e Dick Martyt për trafikim organesh gjatë luftës, duke i dhenë kështu fund edhe akuzave ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale në Hagë.

Kështu, duke mbajtur parasysh faktin se në çdo hap diplomatik, Shqipëria është me Kosovën në mendje dhe në zemër, Xhaçka ka shtjelluar një sërë çështjesh.

Fillimisht, ajo foli për faktin se ka një progres të jashtëzakonshëm të shqiptarëve në gjithë rajonin dhe kudo që janë.

Jo vetëm kaq, por faktori shqiptar sipas saj, është kthyer në garant për paqen në rajon, duke mbajtur në vëmendje perspektivën euroatlantike.

Pavarësisht kësaj, shumë punë mbetet për t’u bërë, kryesisht edhe për shqiptarët, të cilët jetojnë në Luginën e Preshevës dhe punën që të dy vendet, duhet të bëjnë për të drejtat e këtyre qytetarëve.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, ka qenë po ashtu temë diskutimi, ku Shqipëria është qartësisht e rreshtuar në mbështetje të Prishtinës mbi këtë aspekt.

“Për ne, dialogu është interes kombëtar”, theksoi ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke përshëndetur marrëveshjen për targat, të arritur në Bruksel, si edhe vijimësinë për të punuar drejt marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës e Serbisë.

Këtu, duke mos lënë jashtë as partnerët evropianë dhe amerikanë, kontributi i të cilëve ka qenë tejet i vyer për të zgjidhur ngërçet.

Aspiratat e Kosovës për të ndërmarrë rrugëtimin euroatlantik dhe evropian janë po ashtu në agjendën e pandarë të Shqipërisë, siç theksoi kryediplomatja shqiptare, teksa i bërë një kërkesë të tërthortë rishtazi Asamblesë Parlamentare të KiE-së, për të ndërmarrë hapa konkretë kundrejt rezolutës së Dick Martyt, e cila ka qenë aspekt kryesor në ngritjen e Gjykatës Speciale dhe në hartimin e akuzave ndaj ish-krerëve të UÇK-së, përfshi edhe ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ndër të tjera, Xhaçka mendon po ashtu se KiE-ja, nuk ka më pse merret shumë me Kosovën, pasi vendi është qartësisht i orientuar drejt integrimit evropian dhe stabiliteti i brendshëm është arritur.

Sa i përket situatës me liberalizimin e vizave dhe një zgjidhjeje përfundimtare, e cila pritet të vijë në janar 2024, ajo shtjelloi se zvarritja është krejtësisht e pakuptimtë dhe absurde.

Teksa, në mbyllje, nën thirrjes se Shqipëria e ka Kosovën në zemër dhe në mendje në gjithçka bën, ajo ka siguruar se roli i Shqipërisë, do të jetë në çdo kohë i orientuar për nga detyrimet që ka ndaj Kosovës në fushën ndërkombëtare, përfshi edhe në aderimin e saj në çdo institucion e organizatë evropiane e botërore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore