Lajme

Më 23 tetor protestohet në Prishtinë, kundër politikave agresive të Serbisë ndaj shqiptarëve në Luginë


Ilustrim

Më 23 tetor në Prishtinë është thirrur protestë gjithëpopullore kundër politikave agresive të Serbisë ndaj shqiptarëve që jetojnë atje, përkatësisht në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

Protesta është thirrur nga Këshilli Organizativ i Kuvendit Kombëtar Shqiptar për Kosovën dhe Unioni Shqiptar i Shoqërisë civile, në bashkëpunim me qytetarë të Luginës.

Lajmi është bërë i ditur nga aktivistja Flora Ferati- Sachsenmaier – e cila është nga Medvegja.

Në njoftimin e bërë nga Ferati, thuhet se të hënën e 23 tetorit, duke filluar nga ora 11, do të mbahet një “protestë paqësore, gjithëpopullore kundër politikave agresive të Serbisë ndaj vendbanimeve shqiptare në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë”.

Njoftimi për protestën

Protesta do të fillojë me një marshim të protestuesve nga Sheshi “Zahir Pajaziti” deri tek Teatri Kombëtar i Kosovës.

“Duke çmuar se situata po bëhet gjithnjë e ma e vështirë e njerëzit po keqtrajtohen, dëbohen përditë, ftojmë të gjithë njerëzit e ndershëm e patriotë të marrin pjesë në protestën tonë në mbrojtjen e vëllezërve e motrave tona të lënë në mëshirën e fatit”, thuhet aty.

“BASHKOHUNI ME NE!”, përfundon njoftimi.

Shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës janë të shtypur sistematikisht nga institucionet e Serbisë.

Madje, atyre nuk iu lejohet as përdorimi i flamurit kombëtar.

Së fundmi një nga çështjet që është ngritur edhe në Senatin amerikan është pasivizimi i adresave që Serbia po i bënë shqiptarëve atje, posaçërisht në Medvegjë.

Nga ana tjetër, udhëheqësit politikë të shqiptarëve në Luginë kanë kërkuar që shqiptarët që jetojnë në Serbi të përfshihen në dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore