Shqipëria

Mbyllet protesta, pedagogët do të bojkotojnë mësimin


Pedagogët kanë përfunduar protestën e tyre e nisur që prej orëve të para të mëngjesit së 14 tetorit.

Pas disa fjalimeve të mbajtura pranë Universitetit të Arteve ata u dakordësuan që mësimi i planifikuar për tu zhvilluar më 17 tetor të bojkotohet.

E hëna e ardhshme shënon nisjen e fillimit të vitit akademik për universitete në Shqipëri.

Pedagogët deklaruan se Qeveria po i trajton me një “moskokëçarje”.

Sipas tyre, paga që marrin është ndër më te ulëtat në rajon dhe se qeveria edhe pse ka këtë nivel page, ka shkurtuar buxhetin.

Ata kanë kërkuar kushte më të mira dhe një rritje të pagës.

Më herët, kreu i Sindikatës së pedagogëve, Aleksandër Kovaçi i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama të reflektojë dhe të rrisë pagat.

“Me lëmoshë nuk gënjehemi. Bëhet fjalë për qëndrim esencial ndaj arsimit të lartë publik. Që ti përgjigjet ekonomisë së vendit dhe kërkimit shkencor. Pa kërkim shkencor nuk ka zhvillim. Rritja 50% për dy vite, është e panegociueshme”.

Pedagogët kanë theksuar gjithashtu se nëse nuk do të ketë një reagim atëherë do të bojkotojnë procesin mësimor.

Kovaçi në fjalën e tij, tha se ministrja dhe kryeministri Edi Rama po zhvillojnë një antimiting tek Universiteti Bujqësor i Tiranës.

Kujtojmë se pedagogët kanë zhvilluar një takim me ministres e Arsimit dhe Sporteve, Evis Kushi, lidhur me disa kërkesa të tyre.

Një nga çështjet e cila krijon ngërç mes Qeverisë shqiptare dhe pedagogëve, është ajo e pagave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore