Lajme

Mbyllen 20 kafiteri në Prishtinë, gastronomët e quajnë “ofensivë” qasjen e institucioneve


Ilustrim

Inspektorati dhe Policia e Kosovës kanë mbyllur 20 kafiteri në komunën e Prishtinës, për shkak të mos respektimit të masave të reja për parandalimin e pandemisë COVID-19, që kanë hyrë në fuqi nga e hëna e 30 gushtit. Qasjen e institucioneve ndaj këtij sektori, Shoqata e Gastronomëve e ka quajtur “ofensivë”.

Sipas kësaj shoqate, 95 për qind e kafeneve i plotësojnë kushtet për zhvillimin e kësaj veprimtarie. Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve, Veton Zuka, ka thënë se këto kafiteri kishin të njëjtin konstruksion të lokalit që nga e hëna kur janë masat në fuqi.

“Është e pakuptimtë dhe nuk jemi duke e kuptuar as vet. Ka raste unë kam video që shumë lokale i plotësojnë krejt kushtet që kërkohen të punohet në ambient të jashtëm. Ambient i jashtëm është kur ke hapësirë dhe hapje edhe anash, hapje lartë dhe përpara. Kjo ofensivë edhe nga ana e inspektoratit edhe nga ana e policisë, mënyra qysh po i interpretohet, kanalizohen problemet, ka dallim shumë”, deklaroi ai për Kosovapress.

“Ju garantoj që 95 për qind e lokaleve i plotësojnë kushtet për hapësirë të hapur, sepse i kanë terasat lëvizëse. Në moment që është lëvizëse ajo krijon hapësirë vetvetiu sepse janë të konstruktuara ashtu”.

Zuka ka theksuar se anëtarët e kësaj shoqate kanë kërkuar takim me Ministrin e Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia dhe me Ministrin e Financave, Hekuran Murati. Por që sipas tij, kjo kërkesë nuk është marrë parasysh.

“Prej të hënës i kanë vizituar këto lokale edhe deri të enjten ju kanë thënë që janë në rregull me hapësirë të hapur. Dhe të enjten po vjen automatikisht me vendim që nuk i plotëson kushtet dhe je i mbyllur. Nuk e di ku është fundi, por kjo është e papranueshme. Ne i kemi kërkuar shumë opsione të tjera edhe ministrisë që të mund të funksionojmë”, shtoi ai.

Nga masat e reja të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, Gastronomia mund të punojë vetëm deri në ora 21:30 dhe atë vetëm në ambiente të hapura.

Shërbimet e gastronomisë lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre në përputhje me udhëzuesin përkatës.

“Ndalohet shërbimet në gastronomi në hapësirat e mbyllura. Qëndrimi i klientëve (shërbimi i ushqimit dhe pijeve) lejohet vetëm në hapësirat e hapura të lokaleve të gastronomisë. Lejohet shfrytëzimi i jo më shumë se 70 për qind e kapacitetit të hapësirës së hapur. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet”.

“Kuptimi i shprehjes ‘hapësirë e hapur’ dhe ‘hapësirë e mbyllur’ ka të njëjtin kuptim me Ligjin Nr. 04/L-156 për Kontrollin e Duhanit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore