Sport

Mbrojtësi i Polonisë do të transferohet në Arsenal


Mbrojtësi polak, Jakub Kiwior, do të jetë transferimi më i fundit i skuadrës së Arsenal-it.

Siç raportohet në mediat italiane, klubi i Spezia-s ka rënë dakord me ofertën e anglezëve për ta transferuar Kiwior-in në Londër.

Transferimi pritet të mbyllet në ditët në vijim me Spezia-n që do të përfitojë 25 milionë euro plus 5 të tjera në formë të bonuseve për futbollistin e tyre.

Para pak ditësh, Spezia kishte refuzuar 22 milionë euro nga Dortmund-i për qendërmbrojtësin e tyre, derisa mediat në Itali raportojnë se po ashtu u refuzuan oferta nga Atletico Madrid, Leipzig e Leicester.

Kujtojmë që 22-vjeçari ka pasur paraqitje shumë të mira me klubin e tij italian, gjë që kanë bërë që të ftohet në kombëtaren e Polonisë dhe të jetë një titullar i padiskutueshëm.

Ai ishte pjesë e kombëtares së tij edhe në Kupën e Botës në Katar,, ku në katër ndeshjet e polakëve luajti si titullar.

Kiwior është pjesë e Spezia-s që nga vera e vitit 2021, kur u transferua nga klubi sllovak, Zilina, për shumën e 2.2 milionë eurove.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore