Shqipëria

Mbledhja e Kryesisë së PD mbahet nesër, ka 3 kërkesa nga anëtarët


Kryesia e Partisë Demokratike do të mblidhet më 15 qershor, ku me kërkesë të 25% të anëtarëve, një sërë çështjesh do të parashtrohen në diskutim dhe do të kalojnë më pas në votim.

Sipas një njoftimi zyrtar, me firmën e shtatë anëtarëve të Kryesisë demokrate, janë bërë tre kërkesa.

E para lidhet me miratimin e grupeve të punës për mbikëqyrjen e procesit të evidentimit të listave të anëtarësisë në Degët e PD-së.

E dyta, me miratimin e rregullores së brendshme “Mbi modalitetet e procesit zgjedhor për Kryetar të Partisë Demokratike.

E treta dhe e fundit, me plotësimin e vakancave dhe emërimin e anëtarëve të Komisionit Zgjedhor.

Shtatë firmëtarët, janë Taulant Zeneli, Endri Hasa, Gazmend Koduzi, Taulanda Jupi, Kreshnik Çollaku, Xhemal Gjunkshi dhe Gentian Gaba.

Të gjitha këto, në kuadër të zgjedhjeve për kryetarin e ri të të djathtëve, të cilat mbahen më 29 korrik.

Përplasje të shumta ka pasur mes grupimeve të ndryshme në kampin opozitar, ku kreu i Grupit Parlamentar dhe njëkohësisht sekretar i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, ka mbajtur qëndrim kundër zhvillimit të zgjedhjeve.

Bardhi i vendosur: Nuk ka zgjedhje pa mbledhje të Këshillit

“Do të duhet të mblidhet Këshilli Kombëtar i PD. Unë e kam kërkuar brenda Kryesisë, kam marrë një përgjigje informale që nuk do të mblidhet. Nëse nuk ndodh, atëherë nuk do të kemi zgjedhje për kryetarin e partisë në datën 29 korrik”.

Sipas Bardhit, riorganizimi i partisë vjen vetëm nëse procesi nis nga baza dhe jo nga zgjedhja e kryetarit.

“Nëse ne, në një vit e gjysmë kemi thënë tjetër gjë dhe sot bëjmë tjetër gjë, padiskutim secili prej nesh humb besueshmërinë që këtë betejë e ka bërë për PD, e ka bërë për interesin më të mirë të demokratëve. Dhe unë pjesë e këtij skenari nuk kam qenë, nuk do të jem”.

Nga ana tjetër, tetë anëtarë të Kryesisë së PD-së kanë vendosur që përmes një vendimi qarkullues të komandojnë kryetarët e degëve në të gjitha rastet kur janë krijuar vakancat.

Ky vendim është propozuar nga Enkelejd Alibeaj, Taulant Zeneli, Endri Hasa, Gazment Koduzi, Taulanda Jupi, Kreshnik Collaku, Xhemal Gjunkshi dhe Gentian Gaba.

Në projektvendim thuhet se komandimi i kryetarëve të rinj u hap rrugë certifikimit të anëtarësisë dhe përgatitjes së zgjedhjeve në të gjitha degët në 29 korrik për kryetarin e Partisë.

Gjithashtu, “nisur nga fakti që këto veprime janë kryer në kohë të ndryshme vlerësojmë se është e nevojshme që kjo kryesi të hartojë një listë të përditësuar të të gjithë kryetarëve të degëve në detyrë, të zgjedhur, të komanduar apo të autorizuar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore