Kosova

Mbi 11 mijë aplikime për subvencionimin e teksteve shkollore, thotë Nagavci


Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se deri në ora 19:00, kanë aplikuar për subvencionimin e teksteve shkollore 11,800 prindër ose kujdestarë ligjor, përmes platformës e-Kosova, e cila për disa orë ishte e bllokuar.

Kjo platformë u krijua pas dështimit të Qeverisë për t’i siguruar tekstet mësimore për nxënësit.

Aplikimi ka filluar nga e premtja e 25 gushtit dhe do të jetë i hapur deri në fund të muajit shtator.

Nagavci tha se kjo po bëhet me qëllim që “asnjë nxënës të mos mbetet pa u pajisur me tekste shkollore”.

“Nga Drejtoritë komunale të arsimit kemi kërkuar që listat për tekstet mësimore të zgjedhura nga aktivat profesionale, t’i bëjnë publike në shkolla dhe në uebfaqet e tyre, ashtu që prindërit të kenë të dhënat e nevojshme për tekstet që do të blejnë për fëmijët e tyre. Jemi të njoftuar po ashtu se mësimdhënësit tashmë kanë filluar t’i ndajnë këto lista me prindërit”, shkroi ajo në llogarinë e saj në Facebook.

Ajo theksoi se shtëpitë botuese kanë publikuar katalogjet e teksteve mësimore me çmimet përkatëse, duke shtuar se “kemi marrë zotimin që çmimet nuk do të rriten e po ashtu që sasia e teksteve është e mjaftueshme për numrin e nxënësve”.

Ndërkaq, Ministrja Nagavci potencoi se institucionet edukativo-arsimore me fillimin e vitit të ri shkollor, përmes DKA-ve, “do të na informojnë në lidhje me fillimin e vitit të ri shkollor, duke evidentuar edhe rastet eventuale të nxënësve të cilët mund të mos jenë pajisur me tekste shkollore si rezultat i mos-pranimit të mjeteve nga ana e prindërve për çfarëdo arsye”.

“Të gjitha rastet e adresuara nga shkollat/ DKA-të apo në emailin [email protected] do të trajtohen ashtu sikurse do të adresohet çdo shqetësim teknik apo tjetër dhe asnjë nxënës nuk do të mbetet pa përfituar mbështetjen për tekstet dhe mjetet mësimore”, përfundoi ajo.

Ndryshe, gjatë ditës pas hapjes së aplikimit ku prindërit mund të aplikojnë për subvencionimin e teksteve shkollore të fëmijëve të tyre, për disa orë ka qenë e bllokuar platforma E-Kosova.

Ashtu siç parashikohej, bllokohet platforma E-Kosova

Ministrja Nagavci, dështimin për t’i furnizuar nxënësit me tekste shkollore, kur kanë mbetur më pak se 10 ditë deri në nisjen e vitit të ri shkollor, vazhdimisht është munduar ta arsyetojë me premisën se shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime të larta për blerjen e librave të filloristëve.

Ata kanë pretenduar se me inciativën që t’i ngarkojë prindërit me blerjen e teksteve shkollore e pastaj t’ua rimbursojnë paratë përmes platforës online “eKosova”, duke prishur kështu zinxhirin dekadash të blerjes së librave, po e kursejnë buxhetin e shtetit dhe po i denoncojnë çmimet e larta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore