Lajme

Ashtu siç parashikohej, bllokohet platforma E-Kosova


Foto nga E-Kosova.

Pas hapjes së aplikimit ku prindërit mund të aplikojnë për subvencionimin e teksteve shkollore të fëmijëve të tyre, është bllokuar platforma E-Kosova,

Në ueb-faqen e E-Kosovës shfaqet vazhdimisht vetëm mesazhi “ju lutem prisni, kërkesa juaj është në proces të sipërm”.

Edhe pas kalimit të disa minutave e njëjta uebfaqe dështon të hapet.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Arbërie Nagavci, nëpërmjet një video-mesazhi të publikuar në llogarinë e saj në “Facebook” të enjten, pas  dështimit për t’i siguruar tekstet shkollore, ka udhëzuar prindërit të konsultohen me mësimdhënësit se çfarë libra duhet të blejnë për nxënësit filloristë.

“Çmimet e teksteve do të publikohen nga shtëpitë botuese, ku lista e teksteve të përzgjedhura nga aktivet profesionale tashmë është e gatshme, andaj ftojmë të gjithë prindërit të konsultohen me mësimdhënësit se cilat tekste duhet t’i blejnë”, ka thënë ministrja Nagavci, ndërsa ka folur edhe për procesin e rimburësimit.

Në njoftimin e saj, ajo ka bërë me dije se të premten do hapet aplikimi për rimburësimin e mjeteve për blerjen e librave të 227 mijë e 984 nxënësve filloristë, ndërsa paratë parashihet t’iu dalin prindërve në xhirollogaritë bankare që nga fillimi i javës së ardhshme.

Ministrja Nagavci, dështimin për t’i furnizuar nxënësit me tekste shkollore, kur kanë mbetur më pak se 10 ditë deri në nisjen e vitit të ri shkollor, vazhdimisht është munduar ta arsyetojë me premisën se shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime të larta për blerjen e librave të filloristëve.

Ata kanë pretenduar se me inciativën që t’i ngarkojë prindërit me blerjen e teksteve shkollore e pastaj t’ua rimbursojnë paratë përmes platforës online “eKosova”, duke prishur kështu zinxhirin dekadash të blerjes së librave, po e kursejnë buxhetin e shtetit dhe po i denoncojnë çmimet e larta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore