Shqipëria

Marrëveshja për Kolegjin e Evropës, Manastirliu në Kuvend: Ngjarje historike për arsimin e lartë shqiptar


“Është një ngjarje historike për arsimin e lartë shqiptar, sepse çelet një faqe e re në rrugën e nisur drejt ndërkombëtarizimit të universiteteve, duke ofruar një mundësi të artë për të rinjtë për arsimim të nivelit më të lartë, duke e sjellë Evropën këtu”.

Kështu e cilësoi Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu në fjalën e saj, marrëveshjen që pritet të ratifikohet sot në Kuvendin e Shqipërisë, si hapi final përpara hapjes së Kolegjit të Europës në Tiranë këtë vit akademik.

“Kjo marrëveshje i hap rrugë çeljes së Kolegjit të Europës, Kampusit të Tiranës, në vitin akademik 2024-2025 për 31 të rinj që janë pranuar dhe që do të nisin studimet pasuniversitare, me programin e studimit: “Transformimi dhe Integrimi Europian: Bashkimi Europian dhe Europa Juglindore. Jetën e vet dega e Kolegjit të Evropës në Tiranë do ta nisë në Godinën “Liria” të Universitetit të Tiranës, një godinë me domethënie simbolike dhe historike nga ku nisi thyerja e izolimit dhe mori udhë demokratizimi i vendit”, tha Ministrja Manastirliu.

Hapja e degës së Kolegjit të Evropës Kampusi i Tiranës, – tha Manastirliu- tregon mbështetjen e institucioneve të BE, Komisionit Europian për vizionin dhe punën e bërë nga qeveria shqiptare në rrugën e integrimit europian, të stabilitetit ekonomik dhe social, e reformave të ndërmarra në të gjithë sektorët dhe patjetër edhe në arsim”.

Kolegji i Evropës, Kampusi i Tiranës hapet këtë vit akademik me 31 studentë që janë përzgjedhur nga Kolegji i Evropës ndërmjet mbi 240 aplikantëve dhe të vijojë për vitin e dytë me 50 studentë e më tej, do të zgjerohet në vitet në vijim edhe falë investimeve që parashikohen nga qeveria shqiptare për ndërtimin e Kampusit të ri në Tiranë.

Në nisjen e funksionimit të Kolegjit të Evropës, ai do të vendoset në Godinën “Liria’ të Universitetit të Tiranës, ku do të ofrohet e gjithë infrastruktura e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe gjithashtu do të investojmë për ngritjen e kampusit të këtij kolegji.

Kolegji i Europës hap një horizont të ri edukimi për të rinjtë shqiptarë, të cilët do të kenë mundësi të ndjekin një nga institucionet ekselente të arsimit që ofron një program të thelluar për vetë Bashkimin Evropian dhe rrugëtimin drejt tij.

Manastirliu foli gjithashtu edhe për projekte të reja në fushën e ndërkombëtarizimit të Universiteteve, siç është firmosja e marrëveshjes për reformimin e Universitetin e Bujqësor të Tiranës me Universitetin BOKU të Vjenës,si dhe hapjen e Universitetit publik UNED të Spanjës, si pjesë e programit të ndërkombëtarizimit të universiteteve për zgjerimin dhe cilësinë e ofertës akademike shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore