Lajme

Marrëveshja me Danimarkën – Haxhiu: S’ka nevojë për ndryshime kushtetuese


Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka konfirmuar se pas letrës së nënshkruar me Danimarkën për të sjellë 300 të burgosur, ka angazhuar Departamentin Ligjor nëse një vendim i tillë ka nevojë për ndryshime kushtetuese.

Sipas saj, në momentin që marrëveshja shkon në Kuvend aty nënkupton që është mbi ligjet në Kosovë dhe nuk ka nevojë për ndryshime të tilla.

“Pas nënshkrimit të letër qëllimit fillon faza e diskutimeve të grupeve të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Danimarkës ku do të flasim për draftin e marrëveshjes dhe traktatin në këtë drejtim”.

“Unë kam angazhuar Departamentin Ligjor që të merret me atë se a ka nevojë për ndonjë ndryshim kushtetues apo jo, ndonëse unë konsiderojë që nuk ka nevojë për faktin se marrëveshja ratifikohet në Kuvend. Nuk është diçka që hynë në fuqi në momentin që e nënshkruaj unë”.

“Pra në momentin që kjo marrëveshje shkon në Kuvend aty nënkupton që marrëveshja është mbi ligjet e Kosovës rrjedhimisht e ka atë fuqi dhe nuk ka nevojë për ndryshim kushtetues. Por megjithatë jam në pritje edhe të një opinioni nga Departamenti Ligjor dhe do të veprojmë në përputhje me sugjerimet që marrim nga personat përgjegjës” ka thënë Haxhiu për EO.

Ministrja Haxhiu tha se nga marrëveshja 15 milionë euro shkojnë në sundimin e ligjit dhe fuqizimin e Shërbimit Korrektues dhe 6 milionë euro në energji të ripërtritshme.

“Ka edhe përfitime për Kosovën, pra do të jenë 15 milionë euro që do të ndahen në buxhetin e Kosovës për sundim të ligjit, për fuqizim te shërbimit korrektues të Kosovës. Në anën tjetër do të jenë 6 milionë në energji të ripërtritshme sepse po ballafaqohemi me kriza në aspektin energjetik e poashtu donacione të shumta për sundimin e ligjit dhe do të ketë investim në qendrën e paraburgimit në Gjilan dhe këto do t’i marr përsipër Danimarka”.

“Është shumë e rëndësishme fuqizimi i bashkëpunimit me Danimarkën. Do të shohim si ta finalizojmë këtë marrëveshje”.

Megjithatë, Haxhiu nuk përjashton mundësinë që të ketë incidente nga të burgosurit, duke shtuar se përgjegjësinë penale mund ta ketë Kosova.

“Mund të presim që të ketë incidente edhe nga njerëzit brenda jashtë. Prandaj është shteti që i ka institucionet e profilizuara që i adreson incidentet e mundshme. Unë mendoj që Qendra e Paraburgimit në Gjilan e ka infrastrukturën e nevojshme dhe në atë qendër nuk kemi pasur rast të vetëm që është arratisura nga ajo qendër dhe incidentet mund të ndodhin edhe nga vetë të burgosurit tanë”.

“Mirëpo nuk përjashtojmë mundësinë të ketë incidente të tilla edhe nga ata që vijnë në Kosovë. Përgjegjësinë për adresimin e tyre sa i përket aspektit administrativ do ta ketë Danimarka. Ndërsa sa i përket përgjegjësisë penale mund të ndodhë që përgjegjësinë ta ketë Kosova për faktin se vepra ndodh në Kosova”.

Nga kjo marrëveshja Kosova do të përfitojmë 200 milionë euro për 10 vjetët e ardhshme.

Si dhe sa realisht do të fitojë Kosova nga marrëveshja me Danimarkën?

Qeveria e Kosovës dhe Mbretëria e Danimarkës kanë nënshkruar marrëveshje për marrjen me qira të qelive të Qendrës së Paraburgimit në Gjilan.

Ndonëse, nga ky dakordim pretendohet se Kosova do të përfitojë 210 milionë euro në 10 vjetët e ardhme, kur kjo të përpjesëtohet në shërbimet operative, i bie që Kosova do të përfitojë vetëm donacione për energji të ripërtëritshme.

Në një përgjigje për Albanian Post, nga Ministria e Drejtësisë së Kosovës, thuhet se shpenzimet e mbajtjes – shpenzimet operative dhe ato të shërbimeve mbulohen nga buxheti i paraparë për zbatimin e marrëveshjes.

210 milionë euro është totali i buxhetit të marrëveshjes.

“Një pjesë – 15 milionë euro i dedikohen shpenzimeve për mirëmbajtjen e Qendrës së Paraburgimit në Gjilan me shërbimet dhe avancimin e kapaciteteve korrektuese, ndërsa gjashtë milionë të tjera janë paraparë për investime në formë të donacioneve për energji të ripërtëritshme në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Siç thuhet në përgjigjen e MD-së, këto llogari janë bërë në baza vjetore.

Ndërkaq, në një konferencë për media Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pati bërë të ditur se të dënuarit të cilët do të transferohen nga Danimarka, nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Sipas saj, të burgosurit nuk mund të jenë të akuzuar për terrorizëm ose probleme mendore.

“Kam kërkuar që mos të përfshihen në këtë marrëveshje. Do të jenë persona të dënuar për krime tjera”.

Sa i përket sigurimit të vizitave të familjarëve të të burgosurve, MD ka thënë se ato do të ofrohen sipas standardeve ligjore të Mbretërisë së Danimarkës.

“Për shkak të largësisë parashihen vizita me qëndrim më të gjatë të familjarëve apo të afërmeve të të dënuarve gjatë vuajtjes së dënimit në Kosovë”.

Po ashtu, thuhet se të dënuarit që do të transferohen nga Danimarka në Kosovë nuk posedojnë shtetësi daneze.

“Sipas pajtimit ndërmjet dy palëve, secili i dënuar i transferuar në Kosovë, para përfundimit të dënimit do të kthehen sërish në Danimarkë për t’iu nënshtruar procedurës së përgatitjes dhe kthimit në vendin e tij të origjinës”.

Ndërkaq Sokol Zogaj, ish-drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, e ka cilësuar si një marrëveshje të mirë dhe me interes për SHKK-në.

Kjo për shkak se siç theksoi ai për AP-në, nga kjo ujdi parashihen investime që do të bëhen brenda burgjeve të Kosovës.

Sokol Zogaj, ish-drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës

Sipas tij, e njëjta është e rëndësishme edhe për stafin që mund të trajnohet të punohet me të burgosur ndërkombëtar.

“Përveç tyre do të ketë ekspertë nga Danimarka që do të vijnë në burgun e Gjilanit dhe do të trajnojnë ata të cilët do të punojnë me të burgosurit nga Danimarka”.

Sa i përket kapaciteteve, Zogaj theksoi se janë edhe 800 vende të lira në nivel të SHKK-së.

Zogaj po ashtu, potencoi se 300 të burgosurit do të sillen në mënyrë graduale.

“Janë të paraparë 300 të burgosur të cilët do të sillen brenda 10 vjetëve, transferi i tyre do të bëhet në mënyrë suksesive, nuk do të thotë të vijnë përnjëherë të gjithë”.

Ai shtoi se burgu ku do të vendosen të dënuarit është me standarde evropiane.

Megjithatë, kjo marrëveshje nuk është e vlefshme pa miratimin e deputetëve të Kosovës, përkatësisht 2/3 e votave të tyre.

Ndërkaq, në tetor të vitit 2020, institucionet Korrektuese të Kosovës filluan një bashkëpunim me institucionet korrektuese të Danimarkës.

Ministri i Drejtësisë së Danimarkës, Nick Hakkerup, ka deklaruar se kjo marrëveshje me Kosovën është diskutuar që një vit.

Nënshkruhet marrëveshja mes Kosovës dhe Danimarkës për qelitë me qira

“Nënshkruam një letër qëllimi. Është një gur themel për bashkëpunimet e tjera mes Kosovës. Shërbimi Korrektues i Danimarkës ka qenë i mbingarkuar dhe Kosova është kontaktuar para një viti”, potencoi Hakkerup.

Për momentin, rreth katër mijë të burgosur po vuajnë dënimin në burgjet e Danimarkës.

Numri i institucioneve të tilla është në rënie dhe numri i të burgosurve po rritet – me 19 për qind që nga viti 2015.

Shumica e të burgosurve vuajnë dënime deri në pesë vjet në të ashtuquajturat burgje të hapura.

Shumica e këtyre objekteve nuk kanë një gardh tradicional burgu dhe të burgosurit mund të kërkojnë mundësinë për t’u larguar përkohësisht nga burgu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore